Kuvendi i Odës së Inxhinierëve të Kosovës miratoi një rezolutë të rëndësishme që lidhet me çmimet, kategorizimin e ndërtimeve dhe përcaktimin e çmimeve minimale për shërbimet profesionale inxhinierike dhe arkitektonike.
Rezoluta parasheh përcaktimin e çmimeve mesatare për kategori të ndryshme të objekteve ndërtimore, duke përfshirë objektet e banimit, spitalet, hotelet, infrastrukturën rrugore, energjetike dhe hidroteknike. Po ashtu, ajo përcakton edhe kornizën për caktimin e çmimeve minimale të shërbimeve profesionale, bazuar në modele krahasuese nga tregu vendor dhe rajonal, me qëllim rritjen e standardeve profesionale dhe parandalimin e nënvlerësimit të punës së inxhinierëve.
Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, tha për KosovaPress se Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës i Odës dhe se në këtë mbledhje janë miratuar disa dokumente të rëndësishme për funksionalizimin e saj.
“Kuvendi i Odës është organi më i lartë i Odës, aty merren vendimet më të rëndësishme. Në këtë kuvend, organet e Odës, bordi drejtues, ka paraparë për miratim disa rregullore. Dy prej tyre janë për funksionalizim të Odës, që me statut janë të paraparë, rregullorja e punës së Kuvendit, se ne kemi organizuar Kuvendin, mirëpo nuk kemi pasur rregullore, është organizuar konform statutit dhe ligjit. Gjithashtu edhe rregullorja e organizimit të brendshëm të Odës, pra funksionet, administrata… Një dokument tjetër shumë i rëndësishëm, i cili është miratuar në këtë kuvend, është një rezolutë, e cila ka të bëjë me çmimet, kategorizimin e ndërtimit, çmimet mesatare të ndërtimit dhe çmimet minimale të shërbimeve profesionale inxhinierike dhe arkitektonike”, tha Rapuca.
Sipas tij, mungesa e një dokumenti të tillë deri më tani ka ndikuar në planifikime të pasakta të investimeve si në sektorin publik, ashtu edhe në sektorin privat.
“Kjo rezolutë ka të bëjë me mungesën e një dokumenti deri më tash për planifikimin e ndërtimeve të ndryshme, investimeve, qofshin publike dhe private, që ka çuar shpeshherë në mosplanifikime të duhura, planifikime të gabuara, mungesë buxheti mandej, shtim të buxhetit për ndërtime. Ekspertët janë angazhuar në hulumtimin e çmimit, çmimeve mesatare të ndërtimeve të llojeve të ndryshme të objekteve ndërtimore, banim, spital, hotele, infrastrukturë rrugore, infrastrukturë energjetike, hidroteknike… Pra, janë marrë hulumtime të tregut vendor edhe rajonal. Pasi është caktuar kjo, janë marrë edhe modele të tjera për caktimin e shërbimeve profesionale, sepse interesi i Odës së Inxhinierëve është ngritja e profesionit dhe janë marrë disa modele për ta parë ose caktuar përqindjen e shërbimeve profesionale në raport me çmimin mesatar të ndërtimit. Janë marrë disa modele krahasuese, janë hulumtuar tregu vendor edhe rajonal, sidomos i Republikës së Maqedonisë, gjithashtu të Kroacisë, por edhe modeli gjerman”, shtoi ai.
Rapuca foli edhe për periudhën tranzitore të financimit të Odës së Inxhinierëve, duke theksuar se ajo funksionon me grant qeveritar deri më 2027.
Ai shtoi se në vitin 2025, si Odë kanë pasur sfida dhe nuk kanë pasur përkrahje të mjaftueshme. Mirëpo, gradualisht ka filluar përkrahja.
Rapuca tha se do të punohet që ligji të respektohet dhe asnjë inxhinier të mos ushtrojë profesionin e palicencuar.
“Ne në vitin 2025, 2026 dhe 2027, sepse jemi në periudhën e përkohshme, funksionojmë me grant qeveritar. Ndërsa, pas vitit 2027 parashihet me ligj, faktikisht plotësisht me qenë të pavarur. Pra, atëherë financohemi me pagesat e anëtarësisë dhe pagesave të licencave. Këtë vit tash po presim me marrë se ende s’e kemi marrë për shkak të miratimit të buxhetit të shtetit. Ndërsa me rastin e pavarësimit të plotë, atëherë besoj që kemi anëtarë të mjaftueshëm, numri i anëtarëve rritet dhe do të kemi buxhet të mjaftueshëm për funksionalizim të plotë… 9:40 Në vitin 2025 kemi pasur sfida, edhe qeverinë nuk e kemi pasur, ka qenë vit zgjedhor edhe nëpër institucione komunale. Nuk kemi pasur shumë përkrahje, mirëpo gradualisht kjo përkrahje ka filluar të forcohet, ka filluar të zbatohet ligji. Ka institucione, të cilat ende nuk e zbatojnë, por gradualisht po vetëdijesohen dhe besojmë fuqishëm që këtë vit do të funksionalizohet plotësisht. Do të punohet në atë drejtim që ligji të respektohet dhe asnjë inxhinier mos ta ushtrojë profesionin i palicencuar”, tha Rapuca.
Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës e ka në mision, rregullimin e profesionit të inxhinierit, ngritjen e standardeve profesionale, në shërbim të sigurisë publike dhe shëndetit me 2 mijë e 100 anëtarë.Është krijuar me Ligjin 08/L-012 të vitit 2022, ndërsa Kuvendi i parë themelues është mbajtur më 21 dhjetor 2024.









