Të paktën 11 palestinezë, përfshirë dy fëmijë dhe tre gazetarë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga agimi, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Munir al-Bursh, drejtor i përgjithshëm i ministrisë, i tha Al Jazeera se fotoreporterët e vrarë kur automjeti i tyre u godit të mërkurën punonin për Komitetin Egjiptian për Ndihmën në Gaza, i cili mbikëqyr punën e ndihmës së Egjiptit në Gaza.
Anas Ghunaim, Abdul Ra’ouf dhe Shaath Mohammad Qeshta po dokumentonin zhvillimet në terren në Gazën qendrore pranë të ashtuquajturit Korridor Netzarim kur u goditën nga një sulm izraelit, thanë kolegët dhe zyrtarët mjekësorë për Al Jazeera. Një person i katërt u vra gjithashtu në sulm.
Mohammed Mansour, zëdhënësi i komitetit, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se gazetarët po filmonin një kamp të sapokrijuar për zhvendosje. Ai tha se sulmi ndodhi rreth 5 km larg territorit të kontrolluar nga Izraeli dhe se automjeti njihej nga ushtria izraelite si i përkiste komitetit egjiptian.
Radioja e Ushtrisë Izraelite, duke cituar një burim sigurie izraelite, tha se Forcat Ajrore Izraelite kishin shënjestruar një automjet në Gazën qendrore, duke pretenduar se pasagjerët e tij po përdornin një dron për të mbledhur informacione mbi forcat e ushtrisë.
Që nga nëshkrimi I armëpushimit në tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët palestinezë kanë thënë se Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme të vazhdueshme në Rrip.
Izraeli poashtu, përkundër marrëveshjes, vazhdon të kufizojë hyrjen e ushqimit, ndihmës mjekësore dhe materialeve për strehim në Gaza, ku rreth 2.2 milionë njerëz përballen me nevoja akute humanitare në mot të ftohtë, të mbrojtur mezi nga tenda të dobëta.











