Mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:00, një zjarr ka shpërthyer në një banesë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.
Pas njoftimit për incidentin, janë dërguar ekipet e Policisë së Kosovës dhe zjarrfikësit në vendngjarje për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën.
Zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Enis Pllana, ka konfirmuar për mediat se një person ka kërkuar tretman mjekësor si pasojë e zjarrit.
Pllana, gjithashtu shtoi se forcat e sigurisë janë ende në terren dhe po vazhdojnë punën për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.
“Sot rreth orës 07:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në lagjen ‘Bregu i diellit’ në Prishtinë, ku nga zjarri është përfshirë një banesë. Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse një person ka pranuar tretman mjekësor. Aktualisht policia dhe zjarrfikësit janë duke u marrë me rastin”, tha Enis Pllana, zëdhënës i Policisë për kryeqytetin. /teve1.info/
Kaplohet nga zjarri një ndërtesë në Kodrën e Diellit në Prishtinë








