Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër katër të dyshuarve lidhur me aksionin e realizuar për fajde.
Në komunikatë thuhet se gjykata në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër katër (4) të dyshuarve: B.M., A.H., B.K., A.M., e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform dispozitave ligjore të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
B.M. dyshohet për bashkëkryerje në vazhdim të veprës penale fajde, për bashkëkryerje detyrimi, A.H. dyshohet për bashkëkryerje në vazhdim të veprës penale fajde, për bashkëkryerje detyrimi dhe për fajde në bashkëkryerje.
B.K. dyshohet për fajde në bashkëkryerje. Ndërkohë A.M. është dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe të bixhozit të paligjshëm./teve1.info/







