Të premten u mbajt seanca e parë ndaj 39 të dyshuarve për keqpërdorim të pozitës në Byronë Kosovare të Autorizimeve.
E këtë të shtunë, për katër prej tyre, Gjykata Themelore në Prizren caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Bëhet fjalë për ish-drejtorin e BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave, Valon Berisha, si dhe ndaj dy personave të tjerë të identifikuar me inicialet F.S. dhe Y.Ç.
“Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatjeprej një (1) muaji, për të pandehurit S.M., V.B., F.S., dhe Y.Ç., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale si në vijim: S.M., dhe V.B., ‘Keqpërdorimi i besimit’ dhe ‘Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike’, V.B., veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’, F.S, veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve në bashkëkryerje në vazhdimësi’ dhe ‘Keqpërdorimi i besimit’, Y.Ç., veprën penale ‘Keqpërdorimi i besimit’”.
Këtë të shtunë, kjo Gjykatë gjithashtu reagoi edhe pas pretendimeve të avokatëve mbrojtës se 35 të arrestuarit të tjerë në rastin e BKS-së po mbahen jashtëligjshëm në paraburgim.
Sipas Gjykatës, seanca dëgjimore është mbajtur brenda afatit ligjor prej 48 orësh nga arrestimi, ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
Por kërkesën që patën po e arsyeton avokati i njërit nga të dyshuarit me iniciale R.H.
“Me këtë paligjshmërinë që ka ndodh, prej seancës dëgjimore deri në kohën ku ata ende qëndrojnë nën masën e ndalimit ka kaluar afati 48 orë dhe kjo konsideroj që ka qenë shkelje e Kushtetutës, shkelje e legjistacionit penal, sepse ata padrejtësisht janë privu kundërligjshëm prej lirisë”, deklaroi avokati i R.H., Valdrin Gashi.
Pasi vendimi për lirim nuk u mor, sipas Gashit, 35 të dyshuarit u dërguan përsëri në qendër të ndalimit, duke ua ndërruar edhe lokacionin.
“I mbrojturi ka qenë në Qendrën e ndalimit në Mitrovicë fillimisht me vendim të ndalimit, pastaj prej seancës dëgjimore siç jam njoftu prej familjarëve dhe kolegëve të tjerë janë dërgu në Qendrën e ndalimit në Lipjan. Deri para një ore mos të them më shumë. Po flas për të mbrojturin tim”.
Ndaj 35 të dyshuarve të tjerë, me vendimin e marrë këtë të shtunë, Gjykata ka caktuar masën e paraqitjes së rregullt në stacion policor dhe masën e ndalimit për t’iu afruar Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe personave të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 8 shkurt.
Ndërkohë, gjatë seancës të së premtes, tre prej të dyshuarve u është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe ka qenë i nevojshëm intervenimi nga ekipet emergjente.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Leka bëri të ditur për tëvë1 se e gjithë kjo ka ndodhur si shkak i numrit të madh të personave të pranishëm në seancë.
Kronikë e realizuar nga gazetarja Adea Mustafaj.



