Sot në Prishtinë ka nisur punimet Kongresi i parë i përbashkët klinik i kirurgëve shqiptarë, një ngjarje që bashkon kirurgët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora shqiptare.
Paralelisht, po zhvillohet edhe Kongresi i pestë i kolegjit të kirurgëve të Kosovës, i cili tashmë është bërë një traditë e rëndësishme shkencore dhe profesionale në vendin tonë.
Këtë vit, Kongresi klinik i kirurgjisë sjell së bashku 235 kirurgë, ndër ta 74 ekspertë ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa dhe rajoni, të cilët do të ndajnë përvojat, inovacionet dhe sfidat më të reja në fushën e kirurgjisë moderne.
Kongresi i parë klinik i kirurgëve shqiptarë po shihet si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave më të avancuara shkencore në fushën e kirurgjisë.
Në ditën e parë të këtij Kongresi, kirurgu oftalmolog Naser Salihu mbajti një ligjëratë mbi lëndimet e syrit, duke theksuar rëndësinë e edukimit në parandalimin e tyre.
Ai vuri në dukje se në Kosovë rastet e lëndimeve të syve janë të shpeshta, sidomos gjatë festave për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, por edhe gjatë punës së përditshme.
“Sot e pata një ligjëratë lidhur me lëndimet e syrit dhe orbitës që nuk janë të rralla në vendin tonë. Rëndësia qëndron në atë se cilat janë mënyrat preventive për të mos ardhur deri tek ato lëndime sepse krijon nevojë emergjente për ndërhyrje kirurgjike komplekse pastaj pasojat janë tepër të mëdha dhe e kam cekur rëndësinë që sa më herët me ardh me kërkua ndihmë mjekësore, mjekimi është më efikas arrijmë ta shpëtojmë syrin jo vetëm si organ, por edhe aspektin funksional të tij….te ne mungon informimi, në festa normal festojnë duke përdorë mjete piroteknike fatkeqësisht shumica janë në duar të fëmijëve, pasojat janë të paparashikueshme, pastaj janë të natyrave të tjera të mbrojtjes në punë punëtorët tanë në masë të madhe nuk i përdorin mjetet mbrojtëse dhe e fundit e rëndësishme është edukimi”, tha ai.
Kryetari i Shoqatës së Oftalmologëve të Kosovës, Naser Salihu, e ka cilësuar mbajtjen e kongresit në Kosovë si një moment me rëndësi të veçantë për vendin.
Ai theksoi se organizime të tilla shkencore jo vetëm që krijojnë ura komunikimi mes profesionistëve, por edhe ofrojnë mundësi të vlefshme për avancimin e kirurgëve pjesëmarrës.
“Tepër e rëndësishme dhe ndihem fatlum që vendi jonë ka kapacitete të sjell njohuri dhe shkathtësi për të organizuar një kongres të këtij niveli. Ne këtu takohemi drejtpërdrejt me kolegë tonë nga mbarë bota… mund të komunikojmë për mënyrat e trajtimit, për atë se si të gjejmë mënyra për avancimin e këtij trajtimi, me qenë më efikas dhe më i qasshëm për te gjithë ne”, tha ai.
Kirurgu i oftalmologjisë e konsideron jetike pjesëmarrësen e mjekeve të rinj në simpoziume të tilla mjekësore, si kjo e Kongresit të parë klinik shqiptar.
“Për të rinjtë është jetike, për ata që duan të merren me profesionin e vetë në mënyrë serioze dhe me qenë mjek të së ardhmes ata duhet me qenë prezent dhe në mënyrë aktive, me u kyç në punimet e Kongresit sepse në këtë mënyrë ata informohen për risitë që ndodhin në problematikat e ndryshme mjekësore… Nesër është seanca e oftalmologëve ku ne kemi përfaqësues nga vende te ndryshme, ku do t’i diskutojmë problemet aktuale qe neve na mundojnë të gjithëve në oftalmologji, dhe do t’i shkëmbejmë eksperienca tona në trajtim të sëmundjeve të ndryshme”, theksoi oftalmologu.