Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.
Në njoftim theksohet se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Sipas autoritetit, qëllimi është të sigurohet mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg.
“Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
Autoriteti thekson se çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit dhe zhvillimet ekonomike e gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të reflektojnë ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, duke u bazuar në parimet e transparencës dhe funksionimit të rregullt të tregut.
Në njoftim, Autoriteti u bën thirrje bizneseve që:
të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme;
të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë;
të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.
Autoriteti i Konkurrencës thekson gjithashtu se procesi i monitorimit po zhvillohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës (MINT), Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim të sigurimit të respektimit të plotë të legjislacionit në fuqi, si dhe të vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës.







