Kosova po hyn në një fazë historike me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, një ngjarje që pritet të sjellë përfitime të mëdha sportive, ekonomike e politike për vendin.
Ky organizim po konsiderohet si një mundësi e rrallë për ta prezantuar shtetin në nivel ndërkombëtar, por edhe për të ngritur standardet e sportit vendor. Federatat po e shohin këtë si moment vendimtar për rritjen e cilësisë, ndërsa volejbolli tashmë ka nisur përgatitjet konkrete.
Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, në një intervistë për KosovaPress, thotë se federatat e sportit në Kosovë e kanë pritur me entuziazëm marrjen e Lojërave Mesdhetare, duke filluar përgatitjet për kombëtaret që më herët.
“Të gjitha federatat e kemi pritur me mjaftë entuziazëm aplikimin dhe marrjen e organizimit të këtyre lojërave që janë me mjaftë rëndësi në çdo aspekt, në këtë rast edhe për federatën tonë. Faktikisht me zëvendësministren (Daulina Osmani) kemi pasur një takim në fillim të vitit, në muajin mars ose prill rreth disa përgatitjeve dhe krijimit të strategjisë nga federatat, mirëpo jo në aspektin organizativ. Ne jemi duke u përgatitur sa i përket kombëtareve tonaku kemi filluar edhe në të kaluarën pa i marrë Lojërat Mesdhetare mirë, edhe tani jemi duke u përgatitur në aspektin e përgatitjes për paraqitje sa më të mirë”, theksoi fillimisht Nikqi.
Nikqi konfirmon se Kosova do të garojë me ekipin më të fortë të volejbollit në këto lojëra, duke e parë këtë ngjarje si prioritet kombëtar.
“Zakonisht shtetet e forta që kanë zhvilluar sportin e volejbollit por edhe sportet tjera, ndonjëherë i dërgojnë edhe ekipet tjera mirë për ne si Kosovë është shumë prioritet që të kemi rezultate sa më të mira dhe me siguri se do të marrim me Kombëtaren A dhe me të gjithë potencialin më të mirë që e kemi për shkak se jemi organizator edhe pse në Lojërat Mesdhetare do të marrin pjesë kombëtare mjaftë të forta që do të jetë e vështirë por ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të dalim sa më të suksesshëm”, bëri të ditur Nikqi.
Sipas tij, sfidat më të mëdha mbeten mungesa e palestrave funksionale dhe hapësirave për stërvitje, duke e bërë vitin e ardhshëm vendimtar për ndërtim dhe përmirësim të infrastrukturës.
“Janë ndërtuar disa palestra por që ndoshta nuk i hyjnë në punë asnjë sporti. Kemi problem sidomos me ekipet e volejbollit në Prishtinë që kanë mungesa të hapësirave sportive për shfrytëzimin e terminëve, e kështu me radhë por gjithashtu edhe qyteteve të tjetra. Tani kur jemi në sezonin e dimrit ka mungesë të palestrave që kanë ngrohje dhe pikërisht më herët kishim takim për fillimin e përgatitjeve të kombëtareve U18 dhe një prej sfidave tona është që ta gjejmë një palestër të lirë ku mund kombëtaret tona t’i zhvillojnë stërvitjet në kushte optimale…Unë shpresoj që viti që po vjen dhe vitet në vazhdim duhet të jenë kruciale dhe duhet të përfundojnë të gjitha ato”, theksoi Nikqi.
Ai nënvizon se Lojërat Mesdhetare do të sjellin përfitime të ndjeshme ekonomike dhe politike, duke përmirësuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Sa i përket rëndësisë, janë mjaftë të rëndësishme në shumë aspekte, çoftë ekonomik por ndoshta edhe politik për faktin se ka ende shtete, ka ende lojtarë që mendojnë se Kosova është vend i pa zhvilluar, që në Kosovë ende ka luftë, që Kosova është një vend i pa sigurt, kështu që edhe në këtë aspekt ka mjaftë rëndësi…Për ne si sport i volejbollit por edhe për sportin në përgjithësi në Kosovë, mendoj që marrja e aktiviteteve dhe organizimeve të ngjashme ka përfitime në shumë aspekte. Kështu që çdo aktivitet që organizohet është i mirëseardhur, sidomos në sportin e volejbollit”, deklaroi Nikqi.
Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar.









