Në përfundim të Samitit të Bërdo-Brijunit, i cili u zhvillua në Durrës, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjatë kësaj konference, ata diskutuan sfidat gjeopolitike dhe ekonomike që po përballet rajoni dhe rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Begaj theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE, duke e konsideruar këtë si një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe ruajtje të sigurisë.
“Në këtë samit diskutuam për sfidat gjeopolitike dhe ekonomike që përballet rajoni. Shqipëria mbështet dialogun rajonal, si element për ruajtjen e paqes dhe integrimin rajonal. Rajoni ynë përballet me sfidat e sigurisë, që kërkon një koordinim më të ngushtë mes nesh. Ne besojmë se integrimi i Shqipërisë dhe rajonit është i rëndësishëm pasi sjell zhvillim të qëndrueshëm dhe siguri. Ne shoqërinë tonë integrimi evropian është i mbështetur nga shumica e popullsisë se ne besojmë në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Deri tani Shqipëria ka ecur mjaft mirë. Ky proces nuk është vetëm politik dhe teknik, por edhe një proces transformues në të mirë të qytetarëve. Po bëjmë atë që duhet për të hyrë në BE, së pari për veten tonë dhe më pas për të qenë gati për në BE”, tha Begaj.
Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, theksoi nevojën për të përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së, duke shtuar, se siguria dhe paqja evropiane do të ishin në rrezik nëse Ballkani Perëndimor nuk bëhet pjesë e bashkësisë europiane.
“Unë jam ithtarë e BE dhe besoj se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e saj jo vetëm për të mirën e tyre por edhe tonën. Siguria dhe paqja evropiane do jenë në rrezik nëse nuk ia dalim kësaj gjëra. Të gjithë anëtarët do të njohin nevojën për të përshpejtuar procesin. Sllovenia do të jetë promovuese dhe të gjejë zgjidhej për të përshpejtuar procesin e zgjerimit. Nuk mund të themi se projekti evropian po vdes. BE u ngrit si një projekt paqe dhe të jesh së bashku do të thotë të kesh paqe, siguri, përparim dhe e dimë se çfarë rrezikojmë nëse nuk kemi vullnetin e duhur për të përshpejtuar procesin” u shpreh Musar.
Nga ana e tij, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, përmendi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal për të adresuar nevojat dhe problemet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit.
Ai theksoi se Bashkimi Evropian duhet të forcojë rolin e saj në arenën ndërkombëtare, pasi politikat botërore kanë ndryshuar. Presidenti Milanoviç shprehu gjithashtu dëshirën që samiti i radhës të mbahet në Kroaci.
“Qeveria kroate ofron ndihma të mundshme vendeve në rajon pa i diskriminuar dhe kështu do vijojë. Kur flasim në këtë nivel dialogu që është parakusht për marrëdhëniet e mira dhe ky është i vetmi qëllim i këtij takimi. Të bisedojmë mbi nevojat dhe problemet e bashkësisë evropiane që nuk janë të pakta dhe duhet të bisedojmë me lojtarët në botë se kushtet janë ndryshuar dhe bashkësia evropiane nuk është fuqi që kemi përmendur më parë. Ne do mbetemi pjesë e këtij sistemi si pjesë shpirtërore, organizative dhe territoriale por duhet të bëjmë të gjitha lëvizjet politike. Takimi i ardhshëm shpreha dëshirën që të mbahet në Kroaci”, tha Milanoviç.
Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të pranishëm në këtë samit ishin edhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova./rtsh/