Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka nënshkruar marrëveshjen në vlerë 8.9 milionë euro me 198 ndërmarrje përfituese nga skema e granteve për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese, certifikim të produkteve dhe sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo mbështetje financiare ndaj ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme është dëshmi e vizionit të tyre për qeverisje të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ai shtoi se ndërmarrjet vendore janë shtylla kryesore për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës.
“Në përputhje me vizionin tonë për qeverisje të mirë, zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie, siguri dhe barazi, krijimi i një mjedisi të favorshëm për të bërë biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara. Me këtë investim të radhës ne po ofrojmë mbështetje direkte për shpalosjen e potencialit dhe rritjen e industrisë vendore. Pikërisht për ata që janë kontribuues kyç të zhvillimit të mëtejmë ekonomik, social dhe mjedisor në vendin tonë. Këto 198 ndërmarrje janë përfituese nga tri skema të granteve nga KIESA. E para është skema e granteve për mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese me potencial për eksport, për blerjen e makinerive prodhuese — 129 ndërmarrje përfituese në vlerë financiare prej 7.3 milionë euro. Qëllimi i kësaj skeme mbështetëse është për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në produkte për tregun ndërkombëtar. E dyta është skema e granteve në mbështetje të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Janë 42 ndërmarrje përfituese në vlerë 1 milion euro. E treta është skema e granteve për certifikimin e produkteve ku janë 27 biznese përfituese në vlerë 600 mijë euro”, tha ai.
E ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se procesi i ndarjes së granteve ka qenë transparent dhe korrekt, derisa përmendi që gjatë të kaluarës, sipas saj, praktika e ndarjes së granteve ka qenë problematike dhe jo transparente.
Ajo theksoi se granti për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese është rritur në 7.3 milionë euro nga 500 mijë sa ka qenë në të kaluarën.
“Gjatë këtij mandati qeverisës identifikuam shumë praktika të dëmshme të të bërit biznes në Kosovë. Një ndër to ishte edhe praktika e aplikimeve në grante. Procesi ishte aspak transparent dhe të gjitha me dorëzimin e dokumenteve në zarf drejt Agjencisë KIESA, dhe përfitues në të shumtën e rasteve nuk ishin ndërmarrjet prodhuese, por shumë prej tyre ishin ndërmarrje tregtare. Kështu me punë dhe përkushtim eliminuam këto praktika të dëmshme”, deklaroi Hajdari.
Në anën tjetër, drejtori i KIESA-s, Zef Dedaj, tha se nga 198 biznese përfituese, 93 prej tyre janë biznese që për herë të parë kanë përfituar nga buxheti shtetëror, ndërkaq 105 bizneset e tjera nuk kanë përfituar grante në tri vitet e fundit.
“Nga këto 198 biznese vlen të theksohet se 93 prej tyre janë biznese të reja, jo nga themelimi por përfitimi. Rrjedhimisht, asnjëherë nga buxheti shtetëror, qoftë ai komunal apo shtetëror, nuk kanë përfituar asnjëherë. Edhe 105 të tjerat janë që së paku nuk kanë përfituar në tri vitet e fundit nga KIESA”, potencoi ai.
Pas përfundimit të fjalimeve, përfaqësuesit e bizneseve nënshkruan marrëveshjet me KIESA-n.