Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të hënën po vazhdon seanca e radhës me dëshminë e dëshmitarit të prokurorisë Nebojsha Radosheviq (me kodin 03880), i 28-të në këtë çështje. Seanca është publike.
Dëshmitari Radoshevic është duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorisë lidhur me ndalim prej 41 ditë nga UÇK –ja në vitin 1998, në Shalë dhe sipas dëshmitarit një pjesë të kohës se ndalimit prej 41 ditëve në fshatin Kleçkë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.