Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin e sotëm me presidenten Vjosa Osmani do të shkoj me gatishmëri, vullnet dhe me bindje që vendit i duhen institucionet.
Krasniqi ka shtuar se në këtë takim po ashtu do të shkoj me shpresën për të dhënë kontribut për të dalë nga situata aktuale politike.
Sipas tij, për shkak të kësaj bllokade Kosova këto ditë përsëri e humbi shansin që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
“Është i mirëpritur nga ana jonë, sepse siç e dini e kemi propozuar qysh në javën e kaluar, në emër të kryesisë së PDK-së. Dhe unë aty do të shkojë edhe me vullnetin edhe me shpresën për të dhënë kontribut për të dalë prej kësaj situate, por normalisht do të varet edhe nga pjesëmarrja e kryetarëve të tjerë edhe nga qëndrimet që do t’i shfaqim aty. Ne po shkojmë me gatishmëri, po shkojmë me vullnet dhe po shkojmë me bindje që vendit i duhen institucionet. Ju e patë këto ditë, ne përsëri e humbëm shansin që të jemi anëtar të Këshillit të Evropës për shkak të kësaj bllokade. Sepse sikur të kishim kuvend, sikur të kishim qeveri deri tash, është dashur që t’i kemi dyjat, ka mundur të jetë një realitet ndryshe. Kosova ka mundur të realizojë një aspiratë të jashtëzakonshme dhe tepër të rëndësishme, anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Përtej kësaj ne ende jemi në sanksione nga Bashkimi Evropian, s’kemi kurrfarë raporte as komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi rritje të çmimit të energjisë”, ka deklaruar Krasniqi para mediave, pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit