“Mungesë durimi nga Brukseli dhe kërkesë për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë brenda një periudhe të shkurtër”.
Kështu i interpreton mesazhet e presidentes së Komisionit Evropian ndaj autoriteteve në Beograd eksperti për siguri dhe politikë të jashtme, Igor Bandoviq.
Ursula von der Leyen deklaroi pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 15 tetor se “tani është momenti i duhur për të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit” në BE.
Ajo bëri thirrje për përparim në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe reformat zgjedhore, si edhe për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
“Tani e kemi parë në praktikë se si duket kur politika e balancimit ka afat skadimi. Mendoj se tani do të duhet të merret një vendim përfundimtar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Bojana Selakoviq, koordinatore e Konventës Kombëtare për BE-në, e cila bashkon ekspertë dhe organizata joqeveritare.
Edhe pas pushtimit rus të Ukrainës dhe sanksioneve që i vendosi Perëndimi Moskës, Beogradi mbeti një nga të paktët partnerë evropianë të Kremlinit, edhe pse është vend kandidat për anëtarësim në BE.
Thirrja e re nga Brukseli vjen në kohën kur Serbia po përballet me pasojat më konkrete të politikës së balancuar të jashtme.
Industria e Naftës e Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë kryesisht ruse, u vu nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa marrëveshja e re për gazin me Moskën, në të cilën Beogradi kishte shpresa, nuk u nënshkrua.
Serbia e justifikoi refuzimin për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë duke u thirrur në “mbrojtjen e interesave kombëtare” – kryesisht për shkak të varësisë së madhe nga energjia ruse dhe mbështetjes që i jep Moska në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Nëse Serbia është me të vërtetë e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE, nuk mund të vazhdojë të ketë marrëdhënie të tilla me Rusinë, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë”, thotë Selakoviq.
Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat për anëtarësim në BE që nga viti 2021.
Kërkesa për përafrim “brenda një afati të shkurtër”
Duke folur për politikën e jashtme, von der Leyen theksoi se Brukseli pret një nivel më të lartë të përafrimit nga Serbia, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Ajo e përgëzoi Beogradin për përafrim në shkallën prej 61%, por shtoi se “nevojitet më shumë” dhe se BE-ja dëshiron ta ketë Serbinë “partnere të besueshme”.
“Nuk jepet më një periudhë për ta përafruar këtë politikë, siç ka ndodhur më parë, kur gjithmonë shtyhej. Tani kërkohet qartë dhe do të thosha brenda një afati të shkurtër”, thotë Bandoviq për Radion Evropa e Lirë.
Duke u ndalur te kriza energjetike, e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë në vitin 2022, von der Leyen tha se oferta për anëtarësim në BE është “premtim i solidaritetit”.
“Ju mund të vazhdoni të llogaritni te ne. Ne lidhim Serbinë me tregun energjetik të BE-së. Kjo është garancia e vërtetë që familjet serbe do të jenë të sigurta dhe me ngrohje gjatë dimrit”, shtoi ajo.
Ajo, gjithashtu, përmendi projekte konkrete të BE-së, duke marrë si shembuj Korridorin Transballkanik të Energjisë Elektrike, që lidh sistemin energjetik të Serbisë me fqinjët dhe me BE-në, si dhe interkonektorin e gazit Serbi-Bullgari.
Para ndërtimit të këtij interkonektori me Bullgarinë në vitin 2023, që furnizohet me gaz nga Azerbajxhani përmes Greqisë, Serbia mbështetej kryesisht në gazin rus dhe në tubacionin në pronësi kryesisht të Gazprom-it rus, që ndodhet nën sanksionet e SHBA-së.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë, por kam përshtypjen se problemi është te ne”, thotë Bandoviq.
Pavarësisht përpjekjeve për të diversifikuar burimet, Serbia mbetet e varur kryesisht nga gazi rus, që plotëson rreth 80% të nevojave të familjeve dhe ekonomisë.
Në nivel vjetor, Serbia konsumon rreth tre miliardë metra kub gaz.