Muaji tetor, KFOR-in do ta gjejë me komandë të re.
Drejtimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë do ta marrë sërish Ozkan Ulutas nga Turqia.
Detyrën këtij do ia dorëzoj komandanti aktual i cili vjen nga Italia, Enrico Berduani.
Këto zhvillime në misionin paqeruajtës nuk pritet të sjellin ndryshime.
Jeta Loshaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se KFOR do të luaj rol konsistent në ruajtjen e sigurisë.
“Mendoj që në përgjithësi jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Itali apo Kosovë- Turqi fatmirësisht me këto dy shtete kemi marrëdhënie shumë të mira por prapë se prapë nëse ndërrohet komanda mendoj që KFOR-i siç e ka luajtur rolin vitet e kaluara por edhe vitet e ardhshme do të luaj një rol konsistent kështu që nuk mund të spekulojmë të presim apo të shpikim që mund të ketë ndonjë lloj shprazëtire që mund të ndodh në mes këtij tranzicioni” , ka thënë Loshaj.
Loshaj theksoi se lufta në Ukrainë dhe ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, janë tregues se situata e sigurisë në Kosovë vazhdon të mbetët e brishtë.
“Mendoj se gjuha konfliktuoze që shihet gjithmonë, sidomos nga ana e Serbisë nuk i ndihmon situatës në rajon, mendoj që lufta në Ukrainë tash e katër vite vec e ka tensionuar situatën më shumë sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku shihet se shumë çështje i kemi akoma të pazgjidhura dhe pakonsoliduara. Prandaj sidomos kur e shohim prezencën ruse por edhe atë kineze sidomos në aspektin e sigurisë në Serbi, kjo kjo neve na ngjallë frikë, por mendoj se institucionet e Kosovës janë në dijeni për temat e tilla dhe në koordinim me aleatët tanë”, është shprehur tutje ai.
Në anën tjetër, Selam Shkodra vlerëson se vëmendja do të rritet karshi kërcënimeve nga pala serbe.
Shkodra mendon se komandanti turk, vigjilencën do ta rritë në katër komunat veriore.
“Është përparësi për Kosovën ,dhe për misionin e trupave të KFOR-it sepse ka pas një sukses në punën e tij 1 vjeçare, dhe vlerësohet se është njohës i mirë i situatës së sigurisë në Kosovë natyrisht edhe terrenit veçanërisht pjesës më delikate të Kosovës e që është sfiduar vazhdimisht siguria e vendit, pjesa veriore. Mendoj se Turqia një nga aleatët e ngushtë dhe strategjik të shtetit të Kosovës, e ka rikthye fuqishëm fokusin e saj në rrafshin e sigurisë, për rajonin tonë”, ka thënë Shkodra.
Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në KFOR për të marrë një qëndrim për ndryshimin e komandës, por të njëjtit deri në publikim e kronikës nuk kanë kthyer përgjigje.
Gjatë vitit 2023, NATO ka rritë prezencën e KFOR-it në Kosovë pas tensioneve që kulmuan edhe me sulm ndaj pjesëtarëve të tyre, ku mbetën të lënduar rreth 30 pjesëtarë të KFOR-it në mesin e tyre edhe të plagosur rëndë.
KFOR operon në Kosovë që nga paslufta.