Inspektorati për Miniera dhe Minerale së bashku me hetuesinë e Policisë, janë duke shkuar në vendin e ngjarjes ku janë lënduar sot minatorët gjatë transportimit të acidit sulfurik në ambientet e punës.
Përmes një lidhjeje direkte për Tëvë1, Drejtori Teknik i Minierës së Trepçës, Bujar Jashari, njoftoi se pas çdo verifikimi, të enjten do të dalin me një raport rreth ngjarjes së ndodhur.
“12 punëtorë kanë pësuar lëndime, fatmirësisht 10 punëtorë janë liruar, kurse dy punëtorë janë në gjendje më të rëndë. Ne tani së bashku me Inspektoratin për Miniera dhe Minerale dhe hetuesinë e Policisë, jemi duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi ta verifikojmë, me siguri nesër do të dalim me një raport rreth ngjarjes së ndodhur”, deklaroi Jashari.
Ndërkaq, i pyetur se a është duke vazhduar puna në Minierë, Jashari bëri të ditur se aktualisht është ndërprerë çdo aktivitet.
“Në Minierë aktivitetin e kemi ndërprerë. Pasi ta vlerësojmë ne dhe komisioni, do të dalim me një qëndrim se kur do të fillojë puna. Por, ne shpresojmë që më së largu nesër të fillojmë punën”, shtoi tutje Jashari.
Ani pse gjatë raportimeve të sotme është thënë se 12 minatorëve u ka rënë acidi sulfurik në trup, Jashari tha se ka qenë acid klorhidrik.
“Ka qenë acid klorhidrik, është i blerë, ne zakonisht e përdorim për pastrimin e gypave të pompave dhe zakonisht e përdorim 2 herë në vit. Por, është rasti i parë që ka ndodhur një aksident i tillë”, tha Jashari.
Kujtojmë se incidenti ka ndodhur në horizontin e njëmbëdhjetë të minierës së Stantërgut në Mitrovicë të Jugut.
Zyrtarët shëndetësorë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës kanë thënë se ndihmë mjekësore kanë kërkuar 12 minatorë dhe se dy prej punëtorëve kanë pësuar lëndime më serioze në sy, ndërsa të tjerët në gjymtyrë./teve1.info/.