Pas Juventusit edhe një ekip tjetër nga Serie A është futur seriozisht në garë për shërbimet e Edon Zhegrovës.
Mediumet italiane kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për kampionin e Italisë, Napolin që gjithashtu po insiston ta ketë Zhegrovën në radhët e veta prej edicionit të ri.
Madje, thuhet se Napoli po e sfidon Juventusin për reprezentuesin e Kosovës, i cili vlerësohet rreth 15 milionë euro nga skuadra e Lillet. Zhegrova pritet të largohet nga Lille në fund të këtij edicioni pas formës fantastike që po e shfaq këtë edicion me fanellën e ekipit francez.
Ai është shndërruar në lojtarin kryesor të Lillet dhe tashmë ka tërhequr vemendjen e skuadrave të mëdha të Evropës, përfshirë edhe Real Madridin.
Zhegrova ka 11 gola e 9 asistime në 40 paraqitje në të gjitha garat për Lillen, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2026.
25-vjeçari prej janarit të vitit 2022 është pjesë e Lillet, të cilit iu bashkua nga skuadra e Baselit.