Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të zhvilluar veprimtarinë e tij, për faktin se në kuadër të kësaj ndërtese funksionojnë edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Administrata.
Nga ky institucion thonë se e kanë të vështirë të pranojnë eksponate të reja, për shkak se gjendja e depove dhe laboratorëve nuk është e favorshme. Ndërkaq, “shtëpia” e artefakteve arkeologjike është duke pritur miratimin e projektit i cili përfshinë renovimin e kësaj ndërtese.
Se Muzeu ka nevojë për ndryshime, e thonë edhe turistët, të cilët u shprehën se mungon ndriçimi dhe ventilimi.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu tha se aktualisht prioritet është miratimi i projektit për renovim, i cili do të ndikojë pozitivisht në pranimin e mëtutjeshëm të eksponateve arkeologjike.
“Ne jemi në pritje të miratimit të projektit kryesor, për renovimin e ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës, me theks të veçantë flasim për depot dhe laboratorët, meqë gjendja aty nuk është e favorshme. .. Kur flasim për gjendjen e depove dhe laboratorëve, i bie që edhe fondi muzeor i cili është poshtë, kërkon një trajtim tjetër dhe të veçantë dhe po besoj që deri në fund të këtij muaji do të përmbyllen këto procedura të shqyrtimit dhe miratimit, në mënyrë që mandej t’i hapet rrugë procedurës për renovimin e ndërtesës së muzeut. Aktualisht, kjo është ajo që e prek Muzeun Kombëtar të Kosovës, ne i kemi aktualisht ekspozitat, e kemi fondin muzeor poshtë, i cili kërkon një zhvendosje”, tha Aliu.
Aliu u shpreh se u përgjigjet kërkesave për prurje të reja vetëm me ekspozim të përkohshëm, pasi që sipas saj, gjendja aktuale e depove nuk lejon diçka më shumë.
“Është ndërtesë e vogël si hapësirë. Shto këtu faktin që brenda ndërtesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës normalisht është e vendosur edhe administrata, dhe nuk është numër i vogël. Në anën tjetër, e kemi në po të njëjtën ndërtesë, veprimtarinë e tij e ushtron Instituti Arkeologjik i Kosovës, prandaj si ndërtesë po besoj se është e pamjaftueshme për të ushtruar veprimtarinë… Mendoj se të gjithë duhet të na mirëkuptojnë dhe normalisht nëse është diçka tejet e veçantë, ose është ndonjë gjetje rasti e cila dhe kërkon trajtim institucional dhe ekspozim, besoj që po. Por, në të kundërtën aktualisht gjendja e depove mendoj që nuk lejon prurje të reja për trajtim, ndoshta për ekspozim të përkohshëm po”, u shpreh Aliu.
Ndërkaq, turistët derisa e vlerësojnë si ndërtesë interesante Muzeun Kombëtar të Kosovës, potencojnë se duhet bërë ndryshime në të.
Turisti nga Emiratet e Bashkuara, Mohammed për KP, u shpreh se historia që përcjell ky muze është interesante, porse potencon se nevojiten ndryshime sa i përket ndriçimit dhe ventilimit.
“Ne vetëm po ecnim dhe pamë që këtu është një muze dhe menduam t’ia hedhim një sy. Ne sapo erdhëm këtu. … (Muzeu) ka nevojë për ndriçim më të mirë dhe ka nevojë për një ventilim më të mirë. Përndryshe historia është e mirë. Historia që tregohet brenda është e mirë. .. Nuk kemi shumë informacione për Kosovën. Pra, për ne, çdo informacion që gjejmë këtu është mjaft i vlefshëm. Nuk mund të specifikojmë asgjë realisht, por gjithçka që mësojmë është mjaft e mirë për ne”, tha Mohammed.
Po ashtu edhe vizitori nga Mbretëria e Bashkuar, John Anderson u shpreh se është kurioz të dijë më shumë rreth historisë së pavarësisë.
“Në fakt një udhërrëfyes, ne pamë udhërrëfyesin e informacionit turistik dhe menduam se duhet të vijmë dhe të shohim historinë e Kosovës. … Deri më tani (muzeu) është shumë i këndshëm. Kati i poshtëm është shumë interesant. Dëgjuam rreth historisë e kombit dhe tani po shikojmë disa nga disa pjesë të tjera. Po, është shumë interesante. … Unë jam padyshim mjaft i interesuar të shoh gjërat (rreth pavarësisë) dhe meqë jam nga Mbretëria e Bashkuar më intereson të shoh disa nga ndikimet në të cilat ne ishim të përfshirë. Pra, është interesante të shihet se si u zhvillua”, tha Anderson.
Ndërkaq, ciceronia në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Mimoza Goqi tregon se deri në gusht të këtij viti kanë mirëpritur rreth 17 mijë vizitorë nga vendet e ndryshme.
“Është pjesa e janarit deri në këtë periudhën e gushtit, kanë qenë diku rreth 17 mijë vizitorë, duke përfshirë rezidentë dhe jorezidentë, studentë, grupe të ndryshme, delegacione, përfshihen në këtë numër. … Prej të gjitha vendeve, duke përfshirë, nuk mund ta cek një, duke përfshirë të gjitha, Amerikë, Angli, Gjermani, Zvicër. … Vitin e kaluar këtë periudhën janar deri në tetor ka pas mbi 20 mijë vizitorë, sepse ka qenë edhe pjesa e manifestës që është mbajtur këtu, dhe e ka rritur numrin e vizitorëve”, tha Dragusha.
Ajo jep detaje edhe për të gjithë koleksionin ekspozuese që kanë, duke filluar nga periudha parahistorike e deri te shpallja e pavarësisë së vendit tonë.
“Muzeu i Kosovës ka dy salla ekspozuese, është pjesa poshtë ku fillon pjesa e arkeologjisë, që është e ndarë në dy pjesë, ku fillon me pjesën e parahistorisë dhe pjesën e periudhës romake, që është e ndarë në periudha. Fillon prej periudhës neolitin, eneolitin, periudhën e bronzit, hekurin dhe periudhën romake… Ndërsa lartë në katin e dytë është pjesa e historisë. Po ashtu, edhe në histori është e vendosur në mënyrë kronologjike, që fillon prej Perandorisë Osmane, Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pastaj luftën e fundit, Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fillon me zonat operative, pastaj luftën, zhvillimin e luftës, armët e luftëtarëve, uniformat deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës“, tha Dragusha.
Kështu, Muzeu Kombëtar i Kosovës i hapur që nga viti 1949, është një nga institucionet më të vjetra kulturore dhe historike në Kosovë. Koleksioni i këtij muzeu përfshin zbulime arkeologjike, dokumentacione historike, artefakte etnografike të cilat zbulojnë më shumë mbi qëndrimin e shqiptarëve në këto territore ndër kohëra e deri tek zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë dhe rrjedhën e tyre.
Ndërkaq, ky muze po kalon nëpër një sfidë, sa i përket kthimit të 1247 artefakteve arkeologjike nga Serbia në Kosovë, të marra gjatë viteve të 90-ta.
Deri më tani, nga ky thesar i artefakteve, Kosovës i është kthyer vetëm një prej tyre. “Hyjnesha në Fron”, është një eksponat që daton nga mijëvjeçari i katërt para Krishtit dhe e cila u gjet në vitin 1956 në lokalitetin “Tjerrtorja” të Prishtinës.
Muzeu Kombëtar i Kosovës është i hapur gjatë gjithë javës, përveç të hënës, nga ora 10:00 deri në 17:00.