Sipas kumtesës, personit me inicialet A.B, i është gjetur një sasi e madhe e armatimit dhe e municionit të cilat planifikonte t’i transportonte në Kosovë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi thotë se sipas burimeve të tij personi i arrestuar e ka prejardhjen nga Kosova.
“Ne kemi marrë informacione alternative se ai qytetar nuk është nga Lugina e Preshevës, madje sipas disa burimeve alternative mund të jetë nga Podujeva por që ka një nënshtetësi suedeze apo kështu si e tillë. Vetura ka qenë me tabela të huaja, nuk ka qenë me tabela të Serbisë apo Kosovës”, tha ai.
Por Mustafi thotë se të gjitha elementet e këtij rasti tregojnë që ka pasur një qasje inskenuese me qëllim akuzimin e shënjestrimin e komunitetit shqiptar në Serbi.
“Për shkak se nuk shkruhej se shtetasi me iniciale të caktuara ashtu siç është edhe rregull e Marrëdhënieve me Publikun por që ka stigmatizuar duke e konsideruar që qytetari i përkatësisë shqiptare, duke përcaktuar përkatësinë nacionale në Bujanoc ishte arrestuar për armatim. Në këtë mënyrë ishte stigmatizimi i komunitetit shqiptar e aq më tepër në rrethanat që ishte rajoni, ku në veri ishin barrikadat e në anën tjetër ishte ngritur niveli i sigurisë në Serbi”, tha Mustafi.
Ai shton se ka zhvilluar edhe takime me përfaqësues të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë, por që nuk ka arritur të marrë shumë informacione nga shteti serb.
Televizioni ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës për këtë rast, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së enjtes.
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes së Serbisë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka mohuar që arrestimi i të dyshuarit për terrorizëm mund të lidhet me situatën në veri.
Kronika e gazetarit Gojart Jashari.