Studiuesi i filozofisë politike, Latif Mustafa, ka thënë se ka sinjale për bashkëpunim dhe një koalicion të mundshëm mes LVV-së dhe LDK-së.
Mustafa ka thënë se pamjet e sotme në seancën e Kuvendit dhe qëndrimin e LDK-së për marrëveshjet ndërkombëtare, tregojnë për një lloj afërmi mes dy partive.
Por, ai ka përmendur se tjetër sinjal është edhe fushata e LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ajo më 28 dhjetor, por edhe deklarimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Në fushatën 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit kemi parë dy LDK, një LDK jo bashkëpunuese dhe anti-institucionale dhe më 28 dhjetor një LDK që ka dhënë sinjale për bashkëpunim. Përfshirë këtu edhe deklaratën e z.Lumir Abdxhikut pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e znj.Osmani që hapi derën për ndërtimin e institucioneve. Logjikisht, në këtë situatë, Albin Kurti do të mendonte që ta pensionojë njëherë e përgjithmonë znj.Osmani përfshirë edhe këtë kauzën e kahmotëshme ku, nacionalizmi defanziv i LDK –së dhe nacionalizimi ofanizv i LVV-së kanë njëfarë përputhshmërie, duke se po ipen sinjalet e para për një tip të koalicionit pasiv, ku LDK-ja do ta mbështeste shumicën. Po du me besuar që zgjedhjet duamë me i shmang”, ka thënë Mustafa në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Abdixhiku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese duke thënë se përgjegjësia për presidentin bie mbi LVV-në, kishte thënë se LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në këtë çështje.
“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës. Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt”, kishte deklaruar Abdixhiku.







