Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi se nënave lehona që janë në marrëdhënie pune e që nuk u është ekzekutuar paga e 13-të e plotë, të bëjnë kërkesë në institucione ku janë të punësuara dhe muajin e ardhshëm do t’u ekzekutohen.
Pas disa pretendimeve se disa nënave që kanë qenë në pushim të lehonisë vitin që lamë pas, nuk u është ekzekutuar paga e 13-të e plotë, Murati tha se kjo varet se si është deklaruar nga institucioni se ku janë të punësuara.
Më tej ai tha se është një gabim i cili mund të korrigjohet dhe në muajin e ardhshëm ekzekutohen.
“Nuk di për raste të tilla, vendimi qëndron të punësuarat që janë në pushim të lehonisë përgjatë periudhës, u llogaritet sikur të kenë punuar me orar të plotë, prandaj, u takon edhe paga e 13-të. Çka mund të ketë ndodhur, nuk di për raste të veçanta, mirëpo, i inkurajoj që të paraqesin ankesë tek institucionet ku janë të punësuara, sepse shpesh varet se si është deklaruar nga institucioni. Nëse ka pasur deklarim të gabuar, nuk figuron si e punësuar që është në pushim të lehonisë edhe mund të ketë ndodhur ndonjë gabim sa i përket trajtimit. Ajo mund të korrigjohet dhe patjetër që në muajin e ardhshëm mund të ekzekutohen”, tha Murati pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet.
Dje, të gjithë punonjësve të sektorit publik i janë ekzekutuar në llogaritë e tyre bankare paga e 13-të.




