Ndarja e pagës së 13-të për sektorin publik ka nxitur debat ndërmjet ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri ka kërkuar sqarime dhe përgjegjësi nga Murati për faktin që kjo pagesë është ndarë vetëm për sektorin publik, duke lënë jashtë sektorin privat.
Nga ana tjetër, Murati ka deklaruar se Qeveria është punëdhënëse vetëm për sektorin publik, dhe për këtë arsye ka mundur të aplikojë pagën e 13-të vetëm për këtë kategori.
Ai shtoi se punëdhënësit privatë inkurajohen të ndjekin të njëjtën praktikë.
Ministri theksoi gjithashtu se nëse Kuvendi vlerëson se paga e 13-të duhet të bëhet obligative edhe për sektorin privat, atëherë Qeveria është e gatshme të shqyrtojë një mundësi të tillë përmes legjislacionit.
“Sa i përket pagës të 13-të, ne e kemi dhënë në sektorin publik sepse jemi punëdhënës i sektorit publik. Pra, i takon punëdhënësit që ta japë pagën e 13-të. Nëse ju mendoni që edhe sektori privat duhet ta bëjë një gjë të tillë, mund ta mandatojmë me ligj, siç e kanë disa shtete evropiane. Ne kemi menduar si qeveri që është më mirë të lihet në vullnetin e punëdhënësve që ta vlerësojnë vet për pagën e 13-të dhe i inkurajojmë të tillët që ta ndjekin si praktikë, pra të fillojnë me dhënien e pagës së 13-të. Por nëse mendoni si Kuvend që kjo duhet të bëhet obligative me ligj, ne jemi të hapur ta bëjmë një gjë të tillë”, tha Murati në fjalën e tij në Kuvend./teve1.info/







