Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se në gjithë vendin janë mbi 7 mijë vende punë të shtuara në sektorin e prodhimit dhe përpunimit gjatë qeverisjes së Qeverisë Kurti, deri në fund të vitit 2022.
Përmes një postimi në Facebook, Murati ka theksuar se kjo është dëshmia më e mirë se programi i Qeverisë për rikthim të ekonomisë drejt prodhimit po funksionon, përcjell teve1.info
“Përmes Programit të Ringjalljes Ekonomike kemi mbështetur prodhuesit me shumë masa: Furnizim me energji elektrike të subvencionuar, disafish më lirë se rajoni; Shtim të kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, dhe mbulim të tarifave për garantimin e kredive; Subvencionim të kredive investuese për zgjerim të kapaciteteve prodhuese; Mbështetje në trajnimin e stafit, marketing e brendim, dhe pjesëmarrje në panaire brenda e jashtë vendit; Grante për bashkëfinancim të pajisjeve; Rritje e subvencioneve për produktet bujqësore; Subvencion për punësimin e grave; Subvencionim për punësimin e të rinjve”, ka shkruar ai.
Tutje, ai ka potencuar se “ ka edhe shumë veprime tjera mbështetëse siç janë lehtësimi i procedurave e barrës administrative përmes dixhitalizimit, apo edhe luftimi i kontrabandës e informalitetit”.
“Gradualisht, por sigurt, drejt një ekonomie të qëndrueshme. Qeveria për prodhuesit!”, ka shtuar ai. /Teve1.info/