Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati thotë se propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë për kryeparlamentar nuk është shkelje kushtetuese.
Duke iu referuar aktgjykimit të Kushtetueses së vitit 2014, Murati tha se mundësohet votimi i fshehtë për t’u konstituar Kuvendi i Kosovës.
Deputeti i LVV-së insiston se PDK, LDK,AAK dhe Lista Serbe janë bërë bllokuese të situatës në Kuvend.
“Siç edhe patë, është e qartë se kush po bllokon. PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja u deklaruan kundër zhbllokimit të konstituimit të Kuvendit. Sipas aktgjykimit të Kushtetueses të vitit 2014 paragrafi 124, mundësohet që votimi të jetë i hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme në mënyrë që të konstituohet Kuvendi, synimi është konstituimi, jo të shohim se si mund të bllokohet…Letra e presidentes, përgjigja e saj aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, rregullorja e punës së Kuvendi neni 61 paragrafi 4 që parasheh që në seanca plenare edhe votim të fshehtë mund të ketë ne kemi propozuar sot si rrugëdalje këtë format të votimit në mënyrë që të mundësohet ecja tutje dhe konstituimi i Kuvendit. Ju e patë që ishin PDK, LDK dhe AAK dhe Lista Serbe që bllokuan… parimisht opozita janë kundër ende pa u propozua kandidati, pra këtu shihet se kemi të bëjmë me bllokadë e jo me domosdo emra të përveç siç ata po pretendojnë”, tha ai.
Derisa partitë opozitare po pretendojnë se propozimi i sotëm për votim të fshehtë është anti-kushtetues, Murati është i bindur se kjo nuk qëndron
“Jo nuk është…çfarë mund të thonë tjerë persona ajo mund të jetë mendim i tyre nuk është konstatim kushtetues”, tha ai.
Murati beson se arsyeja pse opozita e kundërshtoi votimin e fshehtë për kryeparlamentar është se nuk kanë besim tek deputetët e tyre, dhe siç u shpreh ai “ata duan të ushtrojnë kontroll mbi votat e tyre”.
“Sa i përket se pse ata e kundërshtuan votimin unë besoj fletë më tepër për ata dhe mos besimin e vetë partive ndaj deputetëve të vetë dhe kontrollin që ata duan ta ushtrojnë mbi votat e tyre…Sa i përket deputetëve individual ne nuk kemi marrëveshje, por ne kemi dëgjuar deputetë individual që kanë dhënë intervista tek mediet publike që kanë shprehur vullnet se do të ishin të gatshëm të zhbllokojnë situatën”, theksoi ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati thotë po ashtu se duke shpresuar se do të gjejnë mirëkuptim nga partitë opozitare, nuk e kanë propozuar më herët votimin e fshehtë.
“Pse se kemi bërë nga fillimi është sepse ne kemi shpresuar se do të ketë mirëkuptim dhe do të ketë racionalitet në veprimet e opozitës, por po shohim që deri më tani këto sjellje këto veprime nuk janë racionale. Të kundërshtosh çdo gjë nuk është racionale”, tha ai.
Murati u shpreh se përkundër që si partia e parë që doli në zgjedhjet e 9 shkurtit po tentojnë të gjejnë rrugë për të zhbllokuar procesin, subjektet politike opozitare në vazhdimisht po e bllokojnë atë.
“Nuk ka ndryshuar asgjë është vetëm tentativa jonë për të gjetur rrugë përpara për të zhbllokuar procesin, po e shohim që një grup apo subjekt politik në vazhdimësi po provon bllokimin e procesit”, tha ai.
Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të viti 2014 Lëvizja Vetëvendosje ua shpërndau edhe gazetarëve në formë printuar.
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, sot ka propozuar se votimi i kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me votim të fshehtë.
Ky propozim u refuzua nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë legjislaturën e nëntë edhe në tentimin e nëntë. Propozimi i kryesuesit të seancës, deputetit të LVV-së, Avni Dehari për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, nuk kaloi.
Pas kësaj, LVV-ja nuk e propozoi fare kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe seanca u ndërpre.
Dehari tha se vazhdimi i seancës do të bëhet më 3 maj.