Veturën me tabela të Austrisë e kontrolluan në detaje. E aty dyshohet se u gjetën 18 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë.
Kjo video është publikuar para dy ditësh, nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ku pretendohet se është arrestuar një kosovar.
Sipas autoriteteve serbe i arrestuar është një ish-zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kosovë.
Sipas këtij raportimi, bëhet fjalë për kosovarin, Drilon Berbati.
E krejt kjo ende nuk është konfirmuar nga organet e Serbisë për Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi.
Në një përgjigje për TËVË1, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Leutrim Sahiti, ka thënë se Zyra Ndërlidhëse në Beograd ka kërkuar konfirmimin për këtë rast, por ende nuk kanë pranuar përgjigje.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd nëpërmjet Ambasadorit Jashari i ka dërguar shkresë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që ta konfirmojë arrestimin eventual, të ofrojë sqarime për arsyet e arrestimit dhe të bëjë të ditur vendin (qendrën e paraburgimit), ku është duke u mbajtur shtetasi i Republikës së Kosovës”, ka thënë Sahiti.
TËVË1 ka kontaktuar edhe familjarët e Drilon Berbatit, por të njëjtit deri në publikimin e kësaj kronike, nuk janë përgjigjur për të konfirmuar apo jo, arrestimin sipas raportimeve të MUP-it serb.
Kronika e realizuar nga gazetari Venhar Isufi