Nënkryetari i Komunës Wylie në Teksas, Gino Mulliqi, e ka vlerësuar si hap historik për Kosovën ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për pjesëmarrje në Bordin e Paqes.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Mulliqi ka theksuar se kjo ftesë ka një peshë të madhe diplomatike, duke dëshmuar se për SHBA-të dhe për botën çështja e Kosovës është e përmbyllur dhe se territori dhe historiku i saj nuk mund të ndryshohen.
Sipas tij, këtë e konfirmon edhe letra e presidentit Trump drejtuar presidentes Vjosa Osmani.
“Mendoj se është një hap historik, sepse e vendos Kosovën përkrah liderëve dhe shteteve botërore. Kjo ka një domethënie shumë të madhe për Amerikën dhe për gjithë botën, pasi Kosova po ulet në tryezën ku paqja botërore diskutohet si rend dite. Pas 25 vjetësh nga lufta, Kosova ka një karrige në këtë tryezë. Kjo dërgon mesazhin se çështja e Kosovës për SHBA-të dhe për botën ka përfunduar dhe se territori dhe historiku i saj janë të pandryshueshëm, gjë që konfirmohet edhe nga letra e presidentit Trump drejtuar presidentes Osmani,” ka deklaruar Mulliqi.
Sa i përket rolit që Kosova mund të ketë në këtë Bord të Paqes, Mulliqi ka shprehur bindjen se vendi do të jetë një ndër faktorët kyç, për shkak të përvojës së saj nga lufta.
“Mendoj se edhe vetë pjesëmarrja është e mjaftueshme, pasi formati ende nuk është i definuar. Megjithatë, Kosova mund të jetë një ndër faktorët kryesorë, sepse ka kaluar nëpër luftë, ka përjetuar pasojat e saj dhe ka ndërtuar shtetin pas luftës. Kosova mund të shërbejë si një histori suksesi që presidentja Osmani mund ta prezantojë në atë tryezë,” ka thënë ai.
Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të mërkurën se ka pranuar që vendi të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, pasi mori ftesë nga udhëheqësi amerikan, Donald Trump.
“Me krenari të madhe e kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump”, tha Osmani për media.
Ajo shtoi se Kosova, sado e vogël, “mund të japë kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”.
Bordi i Paqes – i themeluar në fund të vitit të kaluar sipas planit të Trumpit për Gazën, synon zgjidhjen e konflikteve globale./teve1.info/










