Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë.
Sipas komunikatës së MPJD-së, procedurat për kthimin e trupit të tij janë duke u kryer nga avokati Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton opinionin publik që sot Prokuroria e Qarkut të Beogradit ka dhënë leje për tërheqjen e trupit të pajetë të qytetarit të Kosovës, të raportuar si i vrarë në Lloznicë të Serbisë. Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë. Rreth procedurave të mëtutjeshme mjeko-ligjore të identifikimit dhe verifikimit të trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës, nga institucionet e Republikës së Kosovës, do të ju mbajmë të informuar”, thuhet në komunikatë, përcjell teve1.info
Avokati Koci gjatë ditës ka bërë të ditur se është bërë identifikimi i trupit në Lloznicë të Serbisë i cili i përket Faton Hajrizit.
Hajrizi ishte vrarë më 19 korrik nga Policia Serbe, pasi dy ditë më parë kishte vrarë një polic serb dhe një tjetër e kishte plagosur.
Ai sipas autoriteteve të Serbisë nuk kishte pranuar të dorëzohej. Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës në Kosovë.