Ministria e Punëve të Brendshme, ka mohuar se ka ulur kriteret në konkursin për inspektorë të Arsimit në mospërputhje me ligjin, siç është raportuar në media.
Sipas MPB-së kriteret e shpallura në konkursin më 05.05.2023, janë në përputhje me “kërkesat e përgjithshme formale për kategorinë profesionale të nëpunësve civilë të përcaktuar sipas Rregullores Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.
Njoftimi i plotë:
Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve rreth raportimeve të mediave gjatë ditëve të fundit, se Ministria e Punëve të Brendshme ka ulur kriteret në konkursin për inspektorë të Arsimit në mospërputhje me ligjin, MPB njofton publikun se kriteret e vendosura në konkurset e shpallura me datë 05.05.2023 për specialistë të arsimit me titull “inspektor i arsimit” janë në përputhje me kërkesat e përgjithshme formale për kategorinë profesionale të nëpunësve civilë të përcaktuar sipas Rregullores Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.
Rregullorja e lartcekur, shprehimisht përcakton se kërkesat e përgjithshme formale për kategorinë profesional 1 të nëpunësve civil janë kualifikimi/diplomë e arsimit të lartë me së paku tre (3) vite të studimeve dhe përvojë e punës profesionale së paku dy (2) vite.Raportimet e mediave se MPB ka ulur kriteret e përcaktuara për inspektorë të arsimit në nenin 9 të Ligjit Nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës janë të pabazuara, pasi që Ligji Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publikë që ka qenë në fuqi në kohën e shpalljes së konkursit, në nenin 85 ka përcaktuar se me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji për Shërbimin Civil Nr. 03/L-149 i Republikës së Kosovës dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj.
Rrjedhimisht, edhe dispozita e nenit 9 të Ligjit Nr. 06/L-046 që përcaktojnë kriteret për zgjedhjen e inspektorëve të arsimit konsiderohet se janë shfuqizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publikë. Këtë qëndrim e ka mbështetur edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës në vendimin A.nr.399/2023 të datës 15.03.2023.
Në këtë vendim, KPMSHCK ka konstatuar se Ligji Nr. 06/L-114 për Zyrtarët Publikë ka shfuqizuar çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj, e rrjedhimisht edhe dispozitat që ndërlidhen me kriteret për përzgjedhjen e inspektorëve të arsimit, të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit.
Prandaj, Ministria e Punëve të Brendshme rithekson se kriteret e përcaktuara në konkurset për inspektor të arsimit në shtatë regjionet e Republikës së Kosovës (Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren) të shpallura me datë 05.05.2023, janë të përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-144 për Zyrtarët Publikë si dhe Rregulloren Nr.10/2022 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil.