Është deponi e dheut rrugës për në Zllatar të Prishtinës.
E nga e hëna, një pjesë e saj, do të shërbejë edhe për një qëllim tjetër.
Të dielën, Komuna e Prishtinës, njoftoi në Facebook, se ka përcaktuar këtë lokacion si zyrtar për deponimin e mbeturinave inerte dhe vëllimore.
Por, vetëm një ditë më pas, nga kjo komunë, thonë se do të shfrytëzohet vetëm si pikë tranzitore.
“Është pikë tranzitore nuk është deponi e mbetjeve vëllimore, por është pikë tranzitorë në të cilën në të ardhmen do të bëhet ndarja, klasifikimi, menaxhimi deri në shkatërrim dhe dërgim në deponin e përgjithshme. Momentalisht kosto për më i deponu në deponi është falas për muajin mars, pastaj në prill do të publikohen kostot e deponisë e ato shkojnë zakonisht me metër kub”, ka thënë Braha.
Por, a mund t’i sjellin vet këtu qytetarët mbeturinat e kësaj natyre.
“Janë numrat e telefonit që i kemi publikuar që janë të “Pastrimi” dhe NPL “ Gjelbër” që duhet të kontraktohen prej të gjithë qytetarëve edhe përmes tyre mund të bëhet edhe bartja sepse është me rëndësi me cek që edhe bartjen e mbeturinave nëpër qytet nuk ka të drejtë çdo operatorë të bëjë. Automjetet të cilat janë bërë bartjen e mbeturinave duhet të jenë të licencuara të kenë leje të posaçme nga Komuna e Prishtinës për me bartë mbeturina”, u shpreh tutje Braha.
Sipas drejtorit, për qytetarët që nuk i ndjekin këta hapa, do të pasojë gjoba dhe konfiskimi i automjetit bartës.
Vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit për mbeturinat inerte e vëllimore, po e konsiderojnë të qëlluar, organizatat për mbrojtjen e mjedisit.
“Duhet të përshëndetet një veprim i tillë sepse Prishtina po ballafaqohet me problem të madh të ndotjes e posaçërisht të mbetjeve vëllimore dhe ato ndërtimore. Kemi jashtëzakonisht grumbuj të mbeturinave që po shihen gjithandej qytetit andaj një vendim i tillë i Komunës është më se i mirëseardhur, por sigurisht që duhet parë implementimi i tij se sa do të ketë sukses, sepse ka nevojë të madhe qytetarët e ndërtuesit të informohen për këtë gjë”, ka thënë Hasanaj.
Komuna e Prishtinës në faqen zyrtare, po ashtu ka shpërndarë edhe lokacionin e deponisë.






