Shteti i Togos ka vendosur që ta çnjohë Pavarësinë e Kosovës dhe në këmbim të kësaj ta marrë liberalizimin e vizave nga Serbia.
E kjo gjë duket se nuk e shqetësoi shumë shefen e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla.
Ajo thotë se ky vendim është marrë qysh në vitin 2019, në kohën kur ajo nuk ishte në krye të ministrisë së Punëve të Jashtme.
“Të gjithë të ekzaltuarve rreth njohjes së Togos dhe propagandës së Daiqit, dua t’ua rikujtoi se ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se të vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakëta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës, është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daiqit dhe Vuiqit, jo vetëm rreth njohjeve”, ka shkruar Gërvalla.
Por, njësoj nuk po mendon profesori universitar, Muhamet Hamiti.
Thotë se Gërvalla bashkë me qeveritarët tjerë duhen të jenë më të vëmendshëm karshi fushatës së Serbisë për njohjen e Kosovës.
Që nga shtatori i vitit 2020, asnjë njohje nuk erdhi për Kosovën.
I fundit shtet që e bëri këtë ishte Izraeli – dhe atë pas kërkesës së drejtpërdrejt nga presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Kronika e gazetarit Arton Rama.