Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, në ditën e tretë të deklaratave përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke theksuar se ish-presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe se kjo duhet të jetë pikënisja e vendimit të gjykatës.
Në fjalën e tij para trupit gjykues, Mishetiq tha se Prokuroria ka shpërfillur provat që, sipas tij, diskreditojnë pretendimet e saj.
“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së, është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”, u shpreh ai.
Avokati theksoi se gjyqtarët duhet të nisen nga parimi i prezumimit të pafajësisë.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, deklaroi Mishetiq.
Sipas tij, argumentet e Prokurorisë nuk e përmbushin standardin e kërkuar për të provuar fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm dhe nuk paraqesin interpretimin e vetëm të arsyeshëm të provave.
“Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju ta rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta gjetur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.
Mishetiq shtoi se shpallja fajtor e ish-presidentit të Kosovës do të përbënte “padrejtësi historike”, duke theksuar se, sipas tij, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet përmes këtij procesi gjyqësor.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.









