Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të STIKK-ut, Vjollca Çavolli, së bashku me anëtarët e Bordit të organizatës.
Gjatë takimit u diskutua për inovacionin dhe finalizimin e Ligjit për Ndërmarrësi dhe Inovacion, i cili konsiderohet një nga nismat kyçe për zhvillimin e sektorit të teknologjisë informative në Kosovë.
Sipas MINT-it, palët trajtuan gjithashtu potencialin e të rinjve në këtë industri dhe planet për avancimin e sektorit, duke përfshirë themelimin dhe promovimin e ICT Tower, si dhe format ndërsektoriale të bashkërendimit të aktiviteteve për promovimin e Kosovës dhe mundësitë për kompanitë e IT-së.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se sektori i teknologjisë informative ka ndikim të gjerë në ekonomi dhe në veprimtarinë institucionale.
“Bashkërendimi në vendimmarrje dhe bashkëpunimi i ngushtë me aktorët relevantë do të mbeten prioritet gjatë katër viteve të ardhshme, me synim arritjen e rezultateve konkrete në rritjen ekonomike, punësim dhe avancim teknologjik”, thuhet në njoftim./teve1.info/







