Thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e prodhimit bujqësor në të dy vendet ishte fokusi kryesor në takimin e sotëm të ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, Armend Mujës me homologun nga Shqipëria, Andis Salla.
Në konferencën për media, Muja tha se në këtë takim si temë kryesore u diskutua prodhimi i ushqimit ku sipas tij të dy vendet janë importuese të ushqimit dhe është nevojë e përbashkët që të koordinohen hapa drejt zhvillimit të më shumë produkteve bujqësore.
“Ne po ashtu diskutuam pak edhe tek çështjet e komplementaritetit se çfarë mund të koordinohet në hapat e prodhimit bujqësor qoftë në Shqipëri apo në Kosovë dhe u dakorduam që të vazhdojë diskutimi në këtë drejtim. Diskutuam mbi nevojën e rëndësishme të promovimit të standardeve të Bashkimit Evropian tek siguria ushqimore dhe diskutuam edhe për mundësinë dhe hapat që duhet t’i marrim për simplifikimin dhe reduktimin e çfarëdo barriere që mund t’i pengojë kontaktet midis bizneseve tona”, tha ai.
Ai shtoi se këto përpjekje janë për të arritur në destinacionin përfundimtar që është Bashkimi Evropian dhe të adaptohen kriteret dhe standardet sa më herët që të kenë mundësi.
Nga ana tjetër, ministri Salla nënvizoi se është arritur dakordim për koordinim më të mirë të politikave dhe për organizimin e tryezave të përbashkëta me bizneset dhe aktorët relevantë, me synim rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
“Por edhe atë çfarë është më e rëndësishme, koordinimi i punës së përbashkët dhe zhvillimit të përbashkët midis dy vendeve, ku është për t’u theksuar që sot është një ditë ku përveç këtyre që kemi rënë dakord, do të vazhdojmë për të koordinuar më mirë punën edhe atë që ramë dakord për marrëveshjet që do të bëjmë edhe midis dy vendeve në Tiranë. Kjo është për t’u theksuar pasi midis doganave tona që nuk ka më, por midis institucioneve të cilat ne jemi në koordinim të përbashkët midis dy institucioneve që janë, qoftë AKU-ja, qoftë zhvillimet tregtare, por edhe atë çfarë ne duhet të bëjmë me hapat e mëtejshëm që nga siguria ushqimore midis dy vendeve edhe atë çfarë diskutuam midis shkëmbimeve tregtare të mëtejshme. Por edhe koordinimit të turizmit apo promovimit të turizmit në kohë midis dy vendeve është për t’u theksuar dhe më vjen mirë që dy vendet tona nuk janë më vetëm midis institucionesh, por edhe midis një pune të përbashkët që do të koordinohet në institucione por edhe midis ministrive të bujqësisë”, tha ai
Ndërkaq Ministri i MBZHR, Armend Muja u takua me homologun e tij nga Shqipëria, Andis Salla.
Aty u realizua një takim mes kabineteve të dy ministrave dhe një takim ndërmjet delegacioneve.







