Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur fajtor dhe dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas aktgjykimit të shpallur sot, Pleskoviq është gjetur fajtor për pjesëmarrje në vrasjen e tre civilëve shqiptarë dhe plagosjen e disa të tjerëve, më 1 shtator 1998, në Prizren, në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 7 qershor 2024, ndërsa ngjarja ndërlidhet me vrasjen e viktimave F.B., B.D. dhe R.D., të cilët ishin civilë shqiptarë duke lëvizur në drejtim të malit për të mbledhur dru për ngrohje.
“Gjatë rrugës, ata u ndaluan nga persona të armatosur me uniforma, të cilët më pas hapën zjarr. Nga të gjitha provat e administruara dhe dëshmitë e dëshmitarëve, përfshirë edhe raportin mjekësor të asaj kohe, është vërtetuar përtej çdo dyshimi se viktimat janë vrarë dhe masakruar në atë vend më 1 shtator 1998”, u shpreh gjykatësi gjatë shpalljes së aktgjykimit.
Gjykata ka theksuar se vendimi është marrë me shumicë votash dhe se janë marrë parasysh të gjitha provat relevante që lidhin të pandehurin Pleskoviq me aktin kriminal.
Millosh Pleskoviq ndodhet në paraburgim që nga 30 shtatori 2023, kur u arrestua në fshatin Uglar.