Situata e sigurisë në katër komunat veriore vazhdon të mbetet e brishtë.
Përveç Policisë së Kosovës, një gjë të tillë po e thonë edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.
Në një intervistë ekskluzive për tëvë1, zëdhënësja e EULEX-it në Kosovë, Nicole Miller tha se për të parandaluar destabilizim të situatës, institucionet kosovare duhet që çdo veprim ta ndërmarrin në koordinim me Bashkimin Evropian.
“Nga çfarë kemi parë situata në veri mbetet e qetë dhe stabile. Por është e brishtë, e thyeshme. Mund t’ju jap një shembull. Rasti i mbylljes së strukturave paralele, sidomos për arsimim dhe shëndetësi, që mund të shpijnë te destabilizimi i situatës në veri. Siç e kemi thënë më herët, mbyllja e strukturave paralele është e rëndësishme të adresohet në formën e duhur, dhe ky është dialogu i lehtësuar nga BE-ja”,ka thënë Miller.
Miller theksoi se EULEX janë të gatshëm të reagojnë në rast se i kërkohet.
“Ne jemi shumë të gatshëm, ashtu siç bëjmë patrullimet 24 orë në ditë. Ne jemi gati të asistojmë. 99 Gjithashtu dua të përmend, siç e thashë më herët, ne nuk operojmë në vakum. Pra, EULEX-i nuk mund të vendosë të intervenojë në vete. E kemi sistemin përgjegjës të sigurisë prej tri shtyllave, siç e sqarova më herët. E kemi Policinë e Kosovës, EULEX-in, dhe KFOR-in. Nuk operojmë në vakum, operojmë me partnerët tanë, koordinohemi me partnerët tanë, kjo është shumë e rëndësishme, dhe koordinimin në mes neve tria, është jo vetëm i nevojshëm, por i shkëlqyeshëm”, është shprehur tutje Miller.
E përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zvecanit, kërkojnë edhe nga EULEX-i.
Zëdhënësja Miller tha se jo vetëm për këtë sulm, por edhe të tjera që kanë ndodhur në veri, përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Më lejoni të them se ne ndjejmë keqardhje për humbjen e çdo jete të çdo oficeri në krye të detyrës. Kjo është thelbësore. Siç e dini, është një rast që po vazhdon në lidhje me rastin e Banjskës. Pra, në këtë moment, ne do të lejojmë drejtësinë të merret me këtë, por çfarë është e rëndësishme për neve është që të gjithë fajtorët, jo vetëm për sulmin në Banjskë, por për çfarëdo gjëje tjetër që ka ndodhur, të sillen para drejtësisë. Kjo ka shumë rëndësi për ne. Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari, jo vetëm për Banjskën. Por, marrë parasysh që ka proces gjyqësor, ne do t’i lëmë autoritetet të kryejnë punën dhe drejtësisë të thotë fjalën e saj”, ka theksuar Miller.
Muaj më parë, EULEX-it në Kosovë, mandati i ishte zgjatur deri në vitin 2027.