Kryetari i Partisë Demokratike (DS) dhe deputeti popullor, Srđan Milivojeviq, deklaroi sot se ministrat Tomislav Momiroviq dhe Goran Vesiq nuk kanë mundur të vjedhin nga buxheti i shtetit 115 milionë dollarë pa dijeninë dhe miratimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke komentuar nisjen e hetimeve ndaj 15 personave për mashtrime financiare në projektin e rikonstruksionit të hekurudhës në Serbi, Milivojeviq i tha agjencisë Beta se asnjë plaçkitje e parave publike nuk është e mundur pa pëlqimin e presidentit Vuçiq.
“Vuçiq dje, pas shumë kohësh, u kap duke thënë të vërtetën, sepse e ka kuptuar mesazhin tim prej dhjetë vitesh më parë se mandatin e tij do ta përfundojë në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale për Krimin e Organizuar. Ai ka plotësisht të drejtë kur thotë se qëllimi i Prokurorisë për Krimin e Organizuar është që ai të arrestohet, sepse ai është kreu i një organizate mafioze. Ministrat Momiroviq, Vesiq dhe të tjerët nuk kanë mundur të vjedhin 115 milionë dollarë nga buxheti i shtetit pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiqit”, theksoi Milivojeviq, raporton Beta.
Ai shtoi se pjesa më e madhe e asaj plaçkitjeje prej 115 milionë dollarësh i takon Vuçiqit.
“Si deputet popullor, në Kuvendin e Serbisë kam paraqitur dokumente që vërtetojnë plaçkitjen e buxhetit të shtetit në ndërtimin e autostradës përmes Fruška Gora-s dhe përmes Grdelicës. Ish-ministrja Zorana Mihajlović ka pranuar publikisht se ai projekt ka kushtuar 150 milionë euro më shumë se çmimi i përcaktuar. Kam paraqitur gjithashtu dokumentin e Auditorit Shtetëror që tregon se Serbia është dëmtuar për shtatë miliardë euro vetëm në një vit për shkak të shpenzimeve jofunksionale. Asnjë nga këto plaçkitje nuk është e mundur nëse nuk miratohet paraprakisht personalisht nga Vuçiqi dhe nëse ai nuk e merr pjesën e tij nga ato shuma marramendëse parash”, tha kryetari i DS-së.
Ai theksoi se është pozitive që Prokuroria për Krimin e Organizuar ka nisur hetimet për korrupsionin në rikonstruksionin e hekurudhës, por shtoi se këto hetime duhet të përfundojnë me arrestimin e Vuçiqit.
“Nuk ka më asnjë dyshim që Vuçiq është kreu i një grupi të organizuar kriminal. Përgjegjësi të madhe ka edhe Ana Brnabić, e cila ka qenë kryeministre për tre mandate dhe e cila ka qenë zbatuesja e të gjitha punëve kriminale. Mjafton vetëm të kontrollohen kartat e pasurisë dhe pasuria e funksionarëve të lartë të Partisë Progresive Serbe dhe të krahasohet disproporcioni me pagat e tyre prej 2.000 euro”, tha Milivojeviq.
Ai theksoi se hetimet dhe përgjegjësia penale duhet të nisin ndaj të gjithë anëtarëve të nëntë qeverive të mëparshme që nga viti 2012, të cilët, sipas tij, kanë marrë pjesë në plaçkitjen e shtetit për dhjetëra miliarda euro.
“Të gjithë ata duhet të përfundojnë përpara Gjykatës Speciale për Krimin e Organizuar. Përmasat e plaçkitjes së Serbisë në 13 vitet e fundit kanë pasur efektin e një cunami shkatërrues mbi ekonominë dhe shoqërinë tonë. Përveç parave të buxhetit të vjedhura, pas kësaj qeverie kanë mbetur edhe njerëz të vrarë, duar me gjak, shami të zeza, lot të vejushave dhe britma të jetimëve. Kjo kërkon një përgjegjësi të veçantë”, deklaroi Milivojeviq.
Prokuroria për Krimin e Organizuar ka nisur hetime ndaj 15 personave të dyshuar për dëmtimin e buxhetit të Serbisë me 115 milionë dollarë përmes veprave korruptive, ndërsa kompanisë kineze CRIC–CCCC, e kontraktuar për rikonstruksionin e hekurudhës, i është siguruar përfitim pasuror prej të paktën 18,7 milionë dollarësh.
Hetimi është nisur ndaj ish-ministrit të ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës Tomislav Momirović, ish-ministrit të ndërtimit Goran Vesić, ish-ndihmëses së ministrit dhe përgjegjëse për realizimin e projektit Anita Dimoska, ish-drejtorit të përgjithshëm të “Infrastrukturës së Hekurudhave të Serbisë” Nebojša Šurlan, bashkëpronarit të kompanisë “Starting” në Beograd, Nikola Trivić.
Të dyshuar janë edhe Siniša Jokić, ish-drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Novi Sad, Veljko Novaković, zyrtar i prokurimeve publike në të njëjtin institut, Goran Rosić, përgjegjës në disa kompani përfshirë TECO doo dhe “Pro+Service Centre”, Nenad Ignjatović, pronar i firmës “Deko tim” nga Beška, Slobodanka Katanić, ish-menaxhere investimesh në “Infrastrukturën e Hekurudhave të Serbisë” dhe menaxhere projekti…
Të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprave korruptive – keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqpërdorim të pozitës së përgjegjësisë, mashtrim tatimor, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash.
Prokuroria për Krimin e Organizuar njoftoi se Grupi i Veçantë po vazhdon punën për hetimin e rrjedhës financiare që lidhet me aspektet e tjera të projektit “Modernizimi dhe rikonstruksioni i hekurudhës hungarezo-serbe në linjën Novi Sad – Suboticë – Kelebi”.
Grupi i Veçantë për hetimin e rrjedhave të parave që lidhen me projektin “Modernizimi dhe rikonstruksioni i hekurudhës hungarezo-serbe në linjën Novi Sad – Suboticë – Kelebi” përbëhet nga pjesëtarë të Shërbimit për Luftimin e Krimit të Organizuar, inspektorë të Policisë Tatimore, pjesëtarë të Njësisë për Hetime Financiare, punonjës të Agjencisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Regjistrit të Bizneseve, si dhe një ekip i Prokurorisë për Krimin e Organizuar që përbëhet nga katër prokurorë publikë, tre forensikë financiarë dhe dy bashkëpunëtorë të prokurorisë.
Disa përfaqësues të pushtetit dhe mediave pro-qeveritare e kanë cilësuar arrestimin e të dyshuarve për korrupsion në vlerë totale mbi 130 milionë dollarë si përpjekje për grusht shteti.
Më 1 nëntor të vitit të kaluar, gjatë rrëzimit të çatisë së stacionit hekurudhor të rikonstruktuar në Novi Sad, humbën jetën: Sara Firić (2018) nga Kovilja, Valentina Firić (2014) nga Kovilja, Đorđe Firić (1971) nga Kovilja, Milica Adamović (2008) nga Kaća, Nemanja Komar (2007) nga Stepanovićeva, Anđela Ruman (2004) nga Stara Pazova, Miloš Milosavljević (2003) nga Knićanina, Stefan Hrka (1997) nga Beogradi, Sanja Ćirić Arbutina (1989) nga Kaća, Goranka Raca (1966) nga Novi Sadi, Vukašin Raković (1955) nga Bukovci, Mileva Karanović (1948) nga Kaća, Đuro Švonja (1947) nga Stepanovićeva, Vasko Sazdovski (1979) shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Anja Radonjić (2000) nga Paraćini dhe Vukašin Crnčević (2006) nga Zmajeva, i cili ndiqte shkollën në Novi Sad.
Në aksident mbijetoi nga Teodora Martinko (2002) nga Kisaçi, e cila u plagos rëndë.