Lionel Messi i ka kushtuar një mesazh prekës mikut të tij të ngushtë dhe bashkëlojtarit prej vitesh, Jordi Alba, i cili ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.
“Do të jetë e çuditshme për mua të shikoj majtas dhe të mos të shoh atje… Do të më mungosh shumë. Është çmenduri sa shumë asistime më ke dhënë gjatë gjithë këtyre viteve”, shkroi Messi në rrjetet sociale.
Argjentinasi dhe mbrojtësi spanjoll kanë ndarë një miqësi dhe harmoni të veçantë si në fushë ashtu edhe jashtë saj, fillimisht te Barcelona e më pas te Inter Miami, ku u ribashkuan sërish përkrah Sergio Busquets dhe Luis Suárez.
Alba, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të gjeneratës së tij dhe një figurë kyçe për Barcelonën dhe Kombëtaren e Spanjës, i ka dhënë fund një karriere të lavdishme të mbushur me trofe dhe emocione.
Largimi i tij vjen pak ditë pas lajmërimit për tërheqje nga futbolli edhe të një tjetër legjende blaugrana, si Sergio Busquets, duke mbyllur kështu një epokë të artë të ish-yjeve të Barcelonës në MLS.