Në Beograd, ai u tha liderëve serbë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrëdhënie të forta dhe strategjike me Serbinë, por që këto raporte mund të pengohen nëse nuk zgjidhen problemet Kosovë – Serbi.
E njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci thotë se kjo deklaratë e bënë të qartë se normalizimi i raporteve me Serbinë, nuk do të dëmtoi Kosovën.
“Nëse kjo deklaratë e tij përkthehet, hiqen dorezat diplomatike. Kjo në fakt thotë se Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për marrëdhënie të mira me Serbinë, por jo duke sakrifikuar Kosovën, ose jo duke anashkaluar Kosovën. Mendoj që është një nga qëndrimet më afirmative që kanë të bëjnë me raportin e Uashingtonit me Prishtinën”, tha Koci.
Plani franko-gjerman kërkon që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës dhe Kosovës t’i garantohet ulësja në OKB. Kështu deklaroi të premten presidenti serb, Aleksandar Vuciq, i cili tha se për këto çështje nuk pranojnë të flasin.
Politikani i CDU-së gjermane, Kolë Gjoka thotë se reagimet e Vuçiq-it janë normale, pasi siç thotë ai, plani franko – gjerman, është plani i marrëveshjes finale.
“Sinqerisht nuk kisha pritur ndonjë përgjigje tjetër nga presidentit serb. Ai ato përpjekjet e veta do t’i ketë- do t’i vazhdoji edhe në të ardhmen, por plani franko-gjerman është plani i së ardhmes dhe ky do të jetë plani final dhe marrëveshja finale midis Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht reagimit ky është reagimi i parë dhe është shumë i pritshëm”, tha Gjoka.
Pjesa e dytë e muajit të parë të këtij viti pritet të jetë edhe më intensive sa i përket vizitave të ndërkombëtarëve në Kosovë dhe Serbi.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.







