Veturën e tij e ka mbështjellë me flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Mërgimtari Ilir Dakaj nga Shtutgarti i Gjermanisë ka ardhur për të përcjellë seancat fazës përfundimtare në Hagë të Holandës, dhe në këtë formë për të shprehur edhe mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
“Kam ardhur këtu për mbështetjen e krerëve të UÇK-së që gjenden këtu padrejtësisht qe pesë vjet e gjysmë në Hagë. Edhe jam mbështetës i të gjitha protestave, kam marrë pjesë në Strasburg, në Hagë, në Prishtinë edhe sot jam këtu, nesër dhe pasnesër deri në përfundim të gjykatës”, tha ai.
Ai njihet familjarisht me Jakup Krasniqin, ndërkaq me Rexhep Selimin kanë qenë në shkollë bashkë.
“Bacën Jakup e njoh familjarisht, me Rexhep Selimin jam edhe moshatar kemi qenë në shkollë bashkë, jemi mik shtëpie. Kurse Thaçi e kam idol e kam shpirt edhe Kadri Veselin”, tha ai.
Dakaj pret që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm sikurse kanë dalë Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.
“Kam dashur të shpreh gatishmërinë për mbështetjen për krerët dhe të solidarizohem me krerët që gjenden këtu në Hagë dhe deri në përfundim të këtij procesi do të jem i gatshëm… Unë pres që këta të dalin fitues sikurse kanë dalur zotëri Haradinaj dhe zotëri Limaj edhe këta do të dalin nga ky proces i padrejtë dhe do të jenë fitimtar dhe krejt Kosova do të jetë e lumtur”, thekson Dakaj.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar kundërpërgjigjet, me pretendimet se përtej dyshimit të arsyeshëm, katërshja e UÇK-së është fajtor.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit gjatë parashtrimeve te tyre kane kërkuar që të njëjtit te shpallen të pafajshëm, meqë nuk ka asnjë provë qe argumenton pretendimet e ZPS-së.
Mbrojtësi i viktimave ka kërkuar 20 minuta, e cila do të paraqes pjesën e saj të mërkurën.
Pas tij, katërshja e UÇK-së do të deklarohet secili veç e veç me nga 20 minuta.
Kjo shënon fazën përfundimtare të procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës ne Hagë.







