Ka lindur në tetorin e vitit 1998.
Por, jeta e Lirisë së vogël, do të ndalej dhunshëm vetëm 6 muaj më pas.
Kjo pasi Lirie Muçolli ishte në mesin e 53 shqiptarëve që u vranë nga forcat serbe në Masakrën e Poklekut.
Babai i saj, Qamili, tregon se si vendosën që foshnjën e lindur në luftë, ta quajnë Liri.
“Liria ka lindur në male dhe për shkak të kushteve që lindi dhe kohën në të cilën lindi, vendosëm që edhe emrin me ja lënë emrin Liri”, tha Muqolli.
17 prilli i vitit 1999, nuk ishte tragjik vetëm për Lirijen 6 muajsh.
Nga forcat serbe atë ditë, barbarisht u ekzekutua edhe Qëndrim Muqolli, ani pse i kishte vetëm 9 muaj jetë.
Por, prindërit e Qëndrimit, mallin për të birin e shuajnë vetëm duke e parë dorën e tij.
Meqë kjo foto është kujtimi i vetëm që e kanë nga foshnja 9 muajsh.
Të gjitha këto fotografi, i grumbulloi ish-ushtari i UÇK-së, Xhavit Muqolli.
Ky i fundit në këtë masakër, humbi dy fëmijët e tij, Eronitën dhe Fatosin.
“Për shkak që ka qenë luftë, ka lindur në Likovc, në shtëpinë e shëndetit në Likovc, vetëm këtë e ka, nuk ka tjetër sepse gjithmonë kanë qenë në lëvizje”, tha Muqolli.
Fat të njëjtë me Lirinë e Qëndrimin, kishte edhe Dafina Qelaj.
Foshnja 6 muajsh, u ekzekutua nga forcat serbe në Masakrën e Izbicës.
Emrat e të gjitha këtyre foshnjave, janë të dokumentuara në librin “A vriten engjëjt?”
Autorja e këtij libri, Hanëmshahe Ilazi, thotë se janë afër 200 foshnje të vrara në luftë nga forcat serbe.
Ndërsa insiston se numri i tyre, mund të jetë akoma më i madh.
“Numri i saktë nuk mund të dihet asnjëherë. Për arsye se zonat e luftës që kanë qenë, (njerëzit) janë shpërngulë prej shtëpive të tyre dhe kanë jetuar maleve, luginave, nën ura, dhe shtatzënat kanë lindur në ato vende dhe foshnjet nuk kanë mbijetuar”, u shpreh Ilazi.
Ilazi thotë se forcat serbe nuk kursyen as gratë shtatzëna
“Ata kanë vra edhe nëna me fëmijë në bark, i kanë nxjerr prej barkut… I kemi 15 nëna shtatzëna, ose që kanë dështua me lind prej tmerreve të forcave serbe. Nga 15 nëna, janë 18 foshnje, sepse 3 nëna kanë pasur fëmijë binek”, tha ajo.
Komuna më numrin me të madh të foshnjave të vrara në luftë nga forcat serbe, është ajo e Skenderajt, me 57 foshnje të vrara.
Kronika e gazetarit Fidan Zejnullahu.