Gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e lehtë e numrit të lindjeve në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Megjithatë, kjo klinikë vazhdon të ketë rol kyç si qendër referente për trajtimin e rasteve më të ndërlikuara që referohen nga spitalet rajonale dhe ato private.
Drejtori i Klinikës, Zef Ndrejaj, thekson se institucioni disponon staf të mjaftueshëm mjekësor, ndërsa nevoja për përforcim të stafit infermieror mbetet ende evidente.
Ai në një intervistë për KosovaPress, bën të ditur se gjatë vitit të kaluar në këtë klinikë janë realizuar rreth 7 mijë e 300 lindje, prej tyre lindja normale ishin afërsisht 4 mijë e 200, ndërsa janë realizuar rreth 3 mijë lindje cezariane.
“Mund të themi se numri i lindjeve këtë vit është më i vogël, domethënë ka një rënie të lehtë. Por jo vetëm këtë vit, por prej pasluftës, thuajse çdo vit kemi nga pak rënie. Arsyet janë të shumta. Mund të jetë arsyeja për shkak që puna, tash lindja mund të kryhet edhe nëpër klinikat private në regjionin e Prishtinës. Pastaj, spitalet regjionale, punojnë pak më shumë ose më mirë para disa viteve. Edhe, andej mund të kryhen shumë lindje. Kështu që, është një rënie e lehtë. Do të thotë, krahasuar me vitin 2024, tash, kur kanë qenë 7.700, tash jemi diku 7.300 lindje… Me lindje spontane janë diku 4.280, ndërsa me lindje me prerje cezariane janë 2.995. Prej tyre, meshkuj janë 3.,839 meshkuj prej këtyre lindjeve, ndërsa femra janë 3.583. Binjakë janë diku 181 lindje, ndërsa trinjakë, domethënë shtatzëna që kanë pasur tre fëmijë, janë shtatë lindje gjithsej në këtë vit”, tha at.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK, e vlerëson vitin 2025 si të suksesshëm për klinikën që ai drejton. Sipas tij, funksionalizimi i tri shërbimeve të reja ka rritur ndjeshëm mundësitë për ofrimin e trajtimeve të avancuara shëndetësore për pacientet në këtë klinikë.
“Po, viti 2025 ka qenë mjaft i suksesshëm, të mos them një prej viteve më të mira prej pasluftës, për shkak se kemi pasur renovimin e klinikës me disa reparte që janë rinovuar në tërësi. Pastaj, rritjen e shërbimeve, që janë dy-tri shërbime të cilat veç kanë filluar për herë të parë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, siç është shërbimi i IVF-it, shërbimi i Mjekësisë Fetale, dhe i amniocentezës. Domethënë, të gjitha këto shërbime veç janë në rrugën e vet edhe po ec puna siç është më së miri”, tha ai.
Klinika Gjinekologjike, e cila disponon 53 gjinekologë dhe rreth 220 mami, ka nevojë të evidentuar për përforcim të stafit infermieror, edhe pse numri i gjinekologëve konsiderohet i mjaftueshëm.
“Po, për sa i përket stafit, në gjinekologji që punohet nga stafi mjekësor, mjekë kemi staf të mjaftueshëm, do të thotë nuk ka mungesa. Ndërsa, stafi i mesëm ose infermieror që duhet të jetë më i mirë për gjinekologji stafi i mesëm, atëherë aty kemi ngecje. Do të thotë është një numër më i vogël. Po, fatmirësisht, jemi para një konkursi që është hapur, ku besoj që do të pranohen kuadro të reja të infermierëve, mamive, dhe do të na përmirësojë kushtet ose stafin e mesëm për nga numri”, deklaron Ndrejaj.
Udhëheqësi i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjike, thekson se çdo ditë në klinikë pranohen rreth 60 raste dhe se institucioni vazhdon të shërbejë si qendër reference për trajtimin e rasteve më të ndërlikuara, duke përfshirë ato nga spitalet rajonale dhe private.
“Përpos numrit që vijnë çdo ditë, numër i madh, ne na shtohen edhe disa raste prej spitaleve regjionale ose spitaleve private, ku hasin vështirësi ose komplikohet. Do të thotë na sjellin pacientin këtu, në ndonjë gjendje pak më të vështirësuar, më të rëndë, të komprometuar, që ne duhet të merremi. Neve na duhet një mund më i madh që të merremi me këta pacientë. Ne nuk mund t’i refuzojmë ato raste, pranojmë secilin rast, por na vështirëson punën shumë edhe rastet e rënda të komprometuara”, tha ai.
Mungesat e barnave, përfshirë ato nga lista esenciale, që kanë ndikuar në shumë klinika të QKUK-së gjatë vitit 2025, nuk kanë prekur Klinikën Gjinekologjike. Sipas Ndrejaj furnizimi në këtë klinikë ka qenë stabil.
“Mungesat mund të jenë njëditore ose një kohë të shkurtër derisa procedurat e tenderimit, furnizimit, ofertuesve, aty ngecin edhe mund të ndonjë njëditësh, dyditësh, ketë mungesë në ndonjë klinikë për një sasi të vogël. Mirëpo, asnjëherë nuk ka mungesa të mëdha ose prej listës esenciale që mungon preparati. Janë procedurat e tenderimit dhe prokurimit që marrin pak kohë, por nuk ka mungesa asnjëherë dhe në gjinekologji nuk kemi pasur asnjëherë asnjë mungesë të preparateve”, deklaroi ai.
Drejtori i Klinikës Obstetrike dhe Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj, bën të ditur se reparti i Mjekësisë Fetale, i cili është funksionalizuar pas renovimit të klinikës, ka trajtuar qindra raste gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, ky repart është i ndarë në një njësi të veçantë me katër dhoma dhe është i pajisur me aparatura moderne të ultrasonografisë, të teknologjisë së fundit.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovë gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 31 mijë e 717 lindje, ku përfshihen si lindjet brenda territorit të Kosovës, ashtu edhe ato të qytetarëve të Kosovës të ndodhura jashtë vendit.
Vetëm brenda Kosovës, numri i lindjeve të regjistruara ishte 21 mijë e 487 lindje. Nga këto, 11 mijë e 115 ishin foshnje meshkuj (ose 51.7%), ndërsa 10 mijë e 372 ishin femra (ose 48.,3%), duke treguar një përqindje të lehtë më të lartë të lindjes së djemve në raport me vajzat.







