Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të furnizohen me derivate, më nuk do të munden ta bëjnë një gjë të tillë në pompën e benzinës “Patroni” në Fushë Kosovë.
Kjo pasi mëngjesin e së premtes, Inspektorë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural vendosën shiritat përreth këtij objekti.
Ky aksion vije disa ditë pasi Gjykata Komerciale vendosi në favor të Ministrit të Bujqësisë Faton Peci, për të liruar hapësirat e kësaj prone publike.
Të pranishëm ishin edhe njësitet policore për asistim.
Por i zhgënjyer me këtë vendim u shpreh pronari i pompës, Habib Morina, derisa tha se nuk kanë qenë të njoftuar paraprakisht.
“Me urdhër të ministrit, ishin inspektorët e pylltarisë të cilët nuk kanë të drejtë as autorizim nuk na tregun vetëm me urdhër të ministrit kanë ardhë më mbyll pikën. Na jemi të shokum, nuk po di çka po ndodhë e kemi landën në Apel, ta shohim Apeli çka po vendosë a në favor tonë a në favor të tyne”, tha Habib Morina, pronar i pompës.
Derisa i njëjti shtoi se dëmet që pësojnë me këtë vendim kapin shifrën milionëshe.
“Tash dëmet janë shumë të mëdhaja, mbi 1 milionë e gjysmë euro”, thotë ai
Ministri i Bujqësisë Faton Peci ka paralajmëruar se në të njëjtin lokacion pritet të nisin procedurat për ndërtimin e objektit të ri të Ministrisë së Bujqësisë.
Kronika e realizuar nga gazetarja Gresa Bardhecaj