Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT-MINT), Inspektorët e Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), kanë zhvilluar nga 10 deri më 15 nëntor operacionin e koduar “Vjeshta 2025”, me qëllim identifikimin e hershëm të viktimave të trafikimit dhe luftimin e veprave penale që lidhen me këtë fenomen në tërë territorin e Kosovës.
Operacioni ka përfshirë kontrolle në rrugë, sheshe, qendra tregtare, lokale muzikore dhe qendra masazhi, si dhe inspektimin e një objekti me 8 njësi banesore në Prishtinë.
Gjatë veprimeve janë angazhuar edhe njësitë mbështetëse të Policisë së Kosovës, përfshirë Departamentin e Kufirit dhe Njësitë Speciale.
Sipas raportit zyrtar janë kontrolluar 50 lokale muzikore, ku janë hasur 449 persona, 357 femra dhe 92 meshkuj, prej të cilëve 168 shtetas të Kosovës dhe 281 shtetas të huaj.
Prej këtyre lokaleve, gjashtë janë mbyllur për shkelje administrative.
Janë inspektuar 73 qendra masazhi, ku janë hasur 201 persona, 162 femra dhe 39 meshkuj, nga të cilët 112 janë kosovarë dhe 89 të huaj.
Pesë qendra janë mbyllur për shkelje administrative.
Janë iniciuar 8 raste për veprat penale “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, me 8 të arrestuar, 4 shtetase kosovare dhe 4 të huaja, si dhe janë identifikuar 19 fëmijë që kërkonin lëmoshë.
Është iniciuar një rast “Marrje me prostitucion”, me 4 të arrestuar, prej të cilëve 3 meshkuj dhe 1 femër kosovare.
Gjatë inspektimit të objektit me 8 njësi banesore, është konstatuar shfrytëzimi i tij për qira të paligjshme përmes platformave online, pa regjistrim të veprimtarisë si biznes.
Objekti është mbyllur nga IQMT-MINT, ndërsa ATK ka iniciuar procedura për shkelje administrative.
Punëtorëve të lokaleve të muzikës dhe qendrave të masazhit iu është dhënë mundësia të deklarojnë nëse janë viktima të trafikimit, por nuk është raportuar ndonjë rast konkret.
Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të përfshira në operacion nënvizojnë se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore mbetet prioritet, dhe do të vazhdojnë kontrollet për të mbrojtur viktimat dhe për të ndëshkuar shkelësit.







