Gjatë parashtrimeve në konferencën mbi ecurinë e çështjes, të mërkurën në Hagë, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon tha se kërkesa e tyre ka të bëjë me problemin e vazhdueshëm të Veselit për të paktën tre muajt e fundit për të pasur mundësi të komunikojë me fëmijët e tij përmes telefonit. Ngjashëm u ankua edhe mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.
“Zoti Veseli e ka të vështirë që të bisedojë me ta përmes telefonit sepse e ka ndërprerje të vazhdueshme”, tha Dixon.
Dixon tha se kanë gjetur zgjidhje të ndërmjetme me Zyrën Administrative lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Veseli mban qëndrimin se situata është e paparanueshme dhe kanë ndërhyrë në të drejtat e tij dhe ka pasur ndikim edhe në përgatitjen e çështjes apo provave të mbrojtjes. Për këtë arsye, thjesht donim t’ua sjellim në vëmendje”, tha ai.
Ndërsa, sa i takon aspektit tjetër që trajtoi Dixon, ishin vizitat në paraburgim, për çka ai tha se këtë problem e kanë edhe ekipet e tjera të mbrojtjes.
“Ne duam që të sigurojmë që të jemi në gjendje që të kemi njoftim paraprak mjaftueshmërisht për sa i takon konfirmimit të vizitave në mënyrë të tillë që të mos presim deri në momentin e fundit, sepse këto kanë ndikim mbi aspekte të planifikimit dhe ato logjistike”, tha ai, duke shtuar që do ishte mirë që të jepet udhëzim i qartë që konfirmimi i vizitave të jepet sa më shpejtë që është e mundur.
Gjithashtu edhe Luka Mishetiq, i cili përfaqëson Hashim Thaçi, tha se edhe i mbrojturi i tij përballet me probleme për të komunikuar me familjarët e tij përmes telefonit.
“Këtë problem e ka edhe zoti Thaçi sa i takon bisedave telefonike me të shoqen dhe djalin e tij”, tha Mishetiq.
Ai gjithashtu tha se ka pasur problem edhe për t’u takuar dje me Thaçin, ku Zyra Administrative e kishte zgjedhur problemin.
Trupi gjykues: Nuk synojmë që të thërrasim dëshmitarë dhe të dorëzojmë dokumente
(Përditësuar, ora 12:59)- Trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, njoftoi se nuk do të dorëzojnë dokumente ose të thërrasin dëshmitarë në këtë rast.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykyes Charles Smith III tha se kjo qëndron për momentin dhe se mund të ndryshojë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Dua të konfirmoj edhe njëherë që në këtë pikë nuk synojmë që të thërrasim dëshmitarë ose që të dorëzojmë dokumente nga ne, pra nga trupi gjykues. Mund të ndryshojë kjo, por për momentin nuk synojmë ta bëjmë këtë gjë”, tha Smith.
Gjyqtari tha se kur mbrojtja ta hapë çështjen e saj, nuk do të bëjnë deklarata hyrëse dhe veç kësaj ai përgëzoi palët për bashkëpunimin.
Mbrojtja e Thaçit synon t’i thërrasë deri në 10 dëshmitarë
(Përditësuar, ora 12:54)- Duke folur për aspektin procedural dhe hapat që do të ndërmerren për zhvillimin e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq, tha se do t’i thëratin deri në 10 dëshmitarë.
“Ne ua kemi dhënë përgjigjen më përpara. Ne nuk e dimë këtë me saktësi. Unë kam thënë që do kemi deri në 10 dëshmitarë, por nuk mund t’ua them me siguri”, tha Mishetiq, duke shtuar se ky numër është vetëm për ekipin mbrojtës të Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga Rodney Dixon, tha se do të konsultohen si ekipe të mbrojtjes në mënyrë që të japin afat të përgjithshëm sa u takon dëshmitarëve të tyre.
Prokurori tha se nuk kanë asgjë për të paraqitur më nga provat e tyre, përveçse për t’iu përgjigjur parashtrimeve që dalin.
Kurse, Mishetiq theksoi se të katër ekipet mbrojtëse kanë qëllim që të paraqesin kërkesa në bazë të Rregullës 130 dhe se këtë gjë mbrojtja do ta bëjë së bashku. Tha se në diskutim me ekipet e mbrojtjes, duke pasur parasysh edhe vëllimin e materialit të ZPS-së, do iu duhen 14 ditë që nga data e vendimit të fundit të trupit gjykues lidhur me provat e paraqitura nga Prokuroria.
Ai tha se nuk mund të bëjnë mocione të tilla pa pasur të gjitha vendimet mbi provat e paraqitura të Prokurorisë.
Sipas Mishetiq, sipas kësaj, mocionet e tyre do i bëjnë në qershor, duke supozuar që trupit gjykues do i duhet një muaj për të vendosur mbi të gjitha materialet e Prokurorisë.
Trupi gjykues pyeti se a do të ishte e gatshme mbrojtja që mocionet e saj t’i dorëzonte më herët në rast që procedurat me Prokurorinë kryhen me herët. Si rrjedhojë, Mishetiq tha se mendojnë të paktën deri në qershor.
Ndërsa, ZPS-ja tha se ata respektojnë vendimin e trupit gjykues lidhur me afatin e mbrojtjes. Prokurori gjithashtu tha se për t’u përgjigjur në mocionin e mbrojtjes, duan një muaj kohë.
Palët u pyet se a ka dikush që do të bëjë parashtrime me gojë meqë nuk ka mundësi ta bëjnë një gjë të tillë gjatë parashtrimeve me shkrim.
Kurse, avokati Mishetiq tha se kërkojnë të paraqesin argumente me gojë meqë nuk iu lejohet kundërpërgjigja në përgjigjen e Prokurorisë pas mocionit të mbrojtjes.
Përfaqësuesit e Prokurorisë thanë se janë të gatshëm për çfarëdo lloj seance për aspekte të tilla.
Në anën tjetër, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ua rikujtoi palëve që mbrojtjes nuk i lejohet apeli në rast që mocioni i tyre për rrëzimin e akuzave, rrëzohet.
Ndërsa, mbrojtësi i viktimave Simon Laws u pyet nëse do të paraqes çështjen e tij pasi të merret vendimi lidhur me mocionin e mbrojtjes për rrëzimin e akuzave në aktakuzë.
Laws që përfaqëson viktimat, tha se do paraqesin dy raporte që trajtojnë aspekte psikologjike dhe aspekte të dëmit material për viktimat. Tha se shpresojnë që më 2 maj t’i paraqesin dy raportet në bazë të rregullave dhe se një gjë të tillë do ta bëjnë brenda 14 majit.
Laws theksoi se dy ekspertët kanë dhënë raporte edhe në çështjen 04 dhe 05. Tha se më vonë se 14 maji, do bëjnë kërkesë për thirrjen e disa dëshmitarëve, qoftë edhe për pranimin e deklaratave të tyre sipas Rregullës 153.
Mbrojtësi i viktimave u shpreh se dokumentet për viktimat do t’i paraqesin në parashtrimet e tyre deri më 14 maj 2025. Ai tha se ka mundësi që dëshmitë e dëshmitarëve të tyre mund të zgjasin deri në dy javë.
Mishetiq tha se duke i pasur parasysh afatet kohore, do ishte mirë që pas pushimit të verës të caktohet data për fillimin e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtësit të viktimave. Qëndrimit të Mishetiq iu bashku edhe mbrojtësi i Veselit, Rodney Dixon.
Jepen disa urdhra me gojë në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, prej tyre edhe pranimi i disa dokumenteve që flisnin për një person të arratisur nga drejtësia në Kosovë
(Përditësuar, ora 12:21)- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë marrë disa vendime, shumica prej të cilëve kishin të bënin lidhur me pranimin apo mospranimin në prova materiale të dokumenteve, e që tri prej tyre kishin të bënin me një viktimë të pretenduar- e cila thuhet se ka bërë krime të rënda në Kosovë, e që më pas i ka ikur drejtësisë.
Ky ishte urdhri i gjashtë, e që kishte të bënte me disa materiale që trupi gjykues i kishte identifikuar, për të cilat tha se janë tre artikuj për një viktimë të pretenduar që janë thënë në dosjen paragjyqësore të Prokurorisë. Sipas trupit gjykues, ky person ishte dënuar për krime të rënda dhe që thuhet se më pas i ka ikur drejtësisë në Kosovë.
Mbrojtja e Krasniqit kishte thënë se janë të rëndësishëm këta artikuj, për të vlerësuar besueshmërinë të kësaj viktime të pretenduar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Trupi gjykues konstatoi se këto dokumente i përmbushin kriteret prima facie të Rregullës 138 dhe janë relevante për besueshmërinë e presonit, që pretendohet se është ndaluar nga UÇK-ja.
“Personi që është objekt i këtyre artikujve, nuk është thirrur për të dhënë dëshmi”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
“Sa i takon vlerës provuese, trupi gjykues vëren se ndonëse saktësia e këtij informacioni që gjendet në këta artikuj nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Sidoqoftë, të tre artikujt kanë data të ndryshme, vijnë nga burime të ndryshme mediatike, citojnë burime të ndryshme dhe sugjerojnë që viktima e pretenduar është dënuar për vepra të rënda në Kosovë dhe është arratisur nga Kosova”, tha tutje ai.
Gjykatësi shtoi se dokumentet kanë vlerë provuese dhe si rrjedhojë, sipas tyre, pranimi në materiale i këtyre artikujve nuk i shkakton dëm mbrojtjes.
Urdhër me rëndësi, ishte edhe qasja që iu dha mbrojtjes në parashtrimet konfidenciale të çështjeve 04, 05 dhe 07.
Sipas Smith, më 27 mars 2025, mbrojtja e Veselit ka kërkuar qasje dhe përdorim të parashtrimeve konfidenciale të dokumenteve në çështjen 04, 05 dhe 07. Kërkesës iu kishte bashkuar edhe mbrojtja e Thaçit.
ZPS-ja e kishte kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për të pasur qasje në parashtrimet 07, pasi parashtron se nuk ka qëllim legjitim foreznik të dëshmuar prej mbrojtjes.
Gjykatësi Smith tha se ata kanë mendim se mbrojtja ka qëllim forenzik specifik për përzgjedhjen e parashtrimeve konfidenciale të këtyre lëndëve.
Sipas tyre, parashtrimet në lëndët 04 dhe 05 mbivendosen në një mënyrë të kufizuar në procedurën aktuale. Ndërsa, për parashtrimet në lëndën 07, ai tha se mund ta ndihmojnë mbrojtjen në këtë lëndë gjyqësore për të bërë parashtrime lidhur me mocione. Si rrjedhojë, dha urdhër me ç’rast autorizon qasje dhe përdorim të parashtrimeve në çështjet 04, 05 dhe 07, me kushtin që këto parashtrime të mbesin konfidenciale në lëndën 06.
Urdhri i katërt kishte të bënte lidhur me dy materiale ku mbrojtja kishte kërkuar pranimin e tyre përmes dëshmitarit 04798. Gjykatësi tha se janë bindur për autenticitetin dhe dëshmitari ka folur për këto dokumente, si rrjedhojë ato u pranuan në prova materiale, me arsyetimin se kanë edhe vlerë provuese.
Në urdhrin e parë, u tha se më 24 mars 2025 është urdhëruar klasifikimi i disa transkriptave dhe audio-video të dëshmitarit W05246 dhe vetëm pjesa parë e dëshmisë së tij kishte mbetur konfidenciale. Por, tani Smith urdhëroi që edhe disa pjesë të tjera të riklasifikohen si publike.
Gjithashtu, ZPS-ja kishte kërkuar pranim në prova materiale edhe të disa dokumenteve që kishin të bënin me dëshmitarin, 04264. Si rrjedhojë, sot ato u pranuan.
I dyti kishte të bënte me kërkesën e Prokurorisë që të pranohen me audio-video deklaratat e një dëshmitari të cilit iu janë pranuar deklaratat me shkrim. Pra, kjo gjë u aprovua.
Në mesin e urdhrave ishte edhe kërkesa e mbrojtjes për pranimin në prova materiale të një ekstrakti të një aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku disa faqe të tij i ishin prezantuar dëshmitarit 04018 më 5 shtator 2023.
ZPS-ja e kishte kundërshtuar pranimin, me arsyetimin e mungesës së relevancës. Ndërsa, trupi gjykues mori vendim për mospranimin e këtij dokumenti, pasi nuk ka përmbushur shkallën e relevancës.
Ndërsa, Smith tha se më 6 dhjetor 2023 gjatë dëshmisë së një dëshmitari, mbrojtja e Thaçit kishte kërkuar që të pranohet një dokument të cilin ZPS-ja e kishte kundërshtuar, duke thënë se nuk e dinte se kush ishte autori dhe burimi, e po ashtu dëshmitari kishte thënë se nuk kishte dijeni për të.
Smith tha se ka relevancë ky dokument për sulmet e pretenduara në Kosovë ndaj serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, dhe ky dokument u pranu në prova materiale.
Ndërsa, urdhri i nëntë kishte të bënte me një provë, që për të diskutuar për të u kalua në seancë private për publikun.
Mishetiq thotë se ZPS-ja ka kërkuar që t’i transferojë disa materiale nga rasti i Thaçit për administrim të drejtësisë në atë për krime lufte
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në konferencën e parë mbi ecurinë e çështjes pasi Prokuroria ka mbyllur paraqitjen e provave të saj në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Mbrojtësi i Thaçit, avokati Luka Mishetiq tha se Prokuroria ka kërkuar që disa materiale nga çështja e Thaçit kundër administrimit të drejtësisë të transferohen në atë për krime lufte.
Në këtë seancë, Mishetiq i cili i bëri parashtrimet i pari, tha se ZPS-ja ka argumentuar se në çështjen tjetër ndaj Tha çit, janë tri materiale që janë me rëndësi në atë për krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“ZPS-ja kërkon që t’i merr disa materiale që janë pjesë e çështjes 12 në këtë çështje të sotme. Pra, në çështjen 06. ZPS-ja argumenton që ka tri materiale që janë me rëndësi për çështjen 06 duke argumentuar që ato përbëjnë faktorë rëndues që kanë lidhje me dënimin në këtë çështje dhe së dyti ata pretendojnë të informojë besueshmërinë e dëshmitarëve të ZPS-së në këtë çështje dhe së treti, ata pretendojnë të demonstrojnë mes tjera sa i takon pretendimeve për krime, sa u takon atyre që njihen në aktakuzë”, tha ai.
Mbrojtja e Thaçit, tha se ata kanë të drejtën që të dorëzojnë një kërkesë in limine dhe gjithashtu të kërkojnë mjete juridike përkatëse, duke marrë parasysh që çështje të reja kanë lindur dhe edhe përgjigjen e ZPS-së që ka të bëjë me transferimin e provave në çështjen 12.
Mocioni i ZPS-së, sipas mbrojtjes së Thaçit, ngritë disa çështje që cenojnë disa nga të drejtat themelore të Thaçit si atë për proces të drejtë juridik. Dhe atë sa i takon të drejtës për vetë diskriminim, duke e vendosur mbrojtjen në një pozitë të pafavorshme.
Mbrojtja përmendi edhe një parim të DhSK-së, që të mos e dënojë Thaçin dy herë për çështje të njëjta.
Po ashtu, Mishetiq përmendi edhe parimin e gjykimit të drejtë, ku u kërkua që të trajtohet dhe që i kërkon ZPS-së që të ndalohet nga ngritja e çështjeve penale nga Thaçi në dy çështje gjyqësore të ndryshme për sjellje të ngjashme të tij.
“Nëse trupi gjykues do të mohojë të drejtën e Thaçit që të dorëzojë mocion in limine, do të dëgjojmë trupin gjykues se cilat janë alternativa dhe ne mendojmë se s’ka arsye që të mos na u jepet kjo e drejtë”, tha ai.
Nga të akuzuarit, Jakup Krasniqi ishte në sallën e gjyqit i pranishëm përmes video-lidhjes pasi kishte marrë lejen përkatëse. Përmes video-lidhjes ishin edhe avokatja e Krasniqit, Venkateswari Alagendra, e po ashtu ai i Selimit, Geoffrey Roberts.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.