Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur se brenda 3 mujorit të parë të këtij viti, ikjen nga Kosova e kanë bërë 62 mjekë të fushave të ndryshme.
Blakaj, në një rrëfim për KosovaPress, ka treguar se brenda disa muajsh pritet ta nisë shkollimin e specializimit në spitalin e Grazit në Austri pasi tashmë ka siguruar edhe vizën gjermane.
Ky mjek, i cili aktualisht punon në një spital privat, ndonëse kishte fituar të drejtën për specializim me vetëfinancim në QKUK thotë se u detyruar të heqë dorë nga shkollimi.
“Jam mjek i përgjithshëm, specializimin e kam marr ortopedi dhe punoj në Spital Amerikan dhe specializimin e kam ngrirë (pezulluar), por mendoj për ta vazhduar në Austri. Shkaku kryesor ka qenë shkaku financiar se nëse veç e kisha marr specializimin me pagesë por ajo prej fillimit ka qenë i ditur se jo të gjithë kemi me marr, por shkaku është financiar, por nëse veç e kisha pas specializimin me pagesë ndoshta më kishte shtyrë të mendoj që edhe të qëndroj. Në fillim kushtet e punës nuk kanë qenë sepse nuk kam qenë i njoftuar për kushtet e punës që janë në Austri në qytetin e Grazit ku unë po mendoj për ta vazhduar specializimin, por kur jam njoftuar me kushtet e punës atje dhe po i shoh tash kolegët e mi që veçse kanë filluar specializimin këtu ato janë veç arsye shtesë që më kanë bindur që unë nuk kam filluar specializimin në Kosovë”, është shprehur ai.
33-vjeçari nga Istogu nuk synon më që të kthehet e të punojë si mjek në Kosovë. Blakaj ka vendosur që pas përfundimit të specializimit në fushën e ortopedisë, jetën dhe karrierën e tij si mjek ta vazhdojë në Austri.
“Synimi është të shkoj atje ta kryej specializimin, të ardhmes nuk i dihet. Për momentin në këtë situatë që jam mendoj ta vazhdoj specializimin atje edhe të punësohem me pagë më të dinjitetshme ku vlerësohesh më shumë se në vendin tënd. Fatkeqësisht këtu nuk e kemi trajtimin e duhur vështirësitë e përfundimit të fakultetit, gjatësia e studimeve të gjitha ato dhe kur po e përfundon fakultetin po je me një pagë nën mesataren e një page që është në Kosovë”, ka theksuar Blakaj.
Shqetësimet për ikjen e mjekëve drejt shteteve të BE-së e kanë shprehur vazhdimisht institucionet dhe organizatat shëndetësore.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë se brenda 3 muajve të parë të vitit 2022 Kosovën e kanë lënë 62 mjekë të specialiteteve të ndryshme.
Sejdiu konsideron se shteti po e injoron këtë problem duke mos bërë asgjë në drejtim të ndaljes së ikjes së trurit shëndetësor.
“Shumica prej tyre janë specializantë që janë në shkollim, shteti iu ka ofruar por çka iu ka ofruar. Dhe shqetësimi tjetër është se po injorohet ky problem i cili nuk është për t’u injoruar sepse nëse ne kemi projektuar sivjet 250 persona, shkojnë me moshën mesatare 30 vite, dhe nëse shohim se Fakulteti i Mjekësisë përafërsisht 150 po prodhon mjekë në vit, ne automatikisht jemi në minus, plus këta që po dalin në pension, plus këta që po dalin me të madhe në privat po e lëshojnë institucionet shtetërore”, theksoi ai.
Kreu i OMK-së është shprehur për KosovaPress se kryesisht kushtet e punës, ato të shkollimit të mëtejmë dhe pagat janë faktorët kryesorë që po i shtyn mjekët të marrin vendim që profesionin ta vazhdojnë ta ushtrojnë jashtë Kosovës.
Ai shprehet se me këtë trend të ikjes brenda 10 viteve klinikat dhe spitalet publike do të mbyllen në mungesë të profesionistëve shëndetësorë.
Dukurinë e ikjes së “trurit mjekësor” nga Kosova e shohin me shqetësim edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Deputeti Bekim Haxhiu vlerëson se duhet një reagim i menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
Derisa ka listuar disa nga veprimet që duhet ndërmarrë, deputeti i PDK-së ka thënë se ndonëse kjo qeveri kishte premtuar mbështetje për profesionistët shëndetësorë ka ndodhur e kundërta.
“Kjo është një dukuri shqetësuese e cila po ndodh dhe duhet veprime të menjëhershme për të ndaluar sepse vendimet për të parandaluar nuk kishte dhe jemi në një situatë se nëse vazhdon kjo dukuri me këtë intensitet brenda pak vitesh ne do të mbesim pa profesionistë të mirëfilltë shëndetësorë. Duhet veprime nga ana e qeverisë, konkretisht përmirësimin e kushteve të punës të profesionistëve shëndetësorë, rritjen e pagës për ta, dhe kjo do të ndikonte drejtpërdrejtë. Pastaj në mbështetje të këtyre profesionistëve për edukim të vazhdueshëm dhe këto janë baza me të cilat do të duhej të krijoheshin rrethanat që të qëdnronin profesionistët shëndetësorë në Kosovë. Qeveria lëre që nuk ka bërë asgjë por ka ndikuar negativisht në këtë proces ku ka pasur mundësi përmes Bordit të SHSKUK-së e ka demotivuar profesionistin shëndetësor duke u vendosur në udhëheqje joprofesionistë me kalkulime të natyrave joparimore, joligjore, dhe nuk ka pasur asnjë mbështetje. Është premtuar shumë për ta në fakt ka zero mbështetje, demotivim, dëshpërim”, është shprehur deputeti Haxhiu.
E përkundër këtyre shqetësimeve, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi shprehet se kohëve të fundit është rritur edhe interesimi i mjekëve për t’u kthyer në Kosovë.
“Unë e ndjej veten shumë keq për secilin që largohet, por tani kemi një interesim shumë të shtuar të mjekëve, ekspertëve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara që duan të kthehen në Kosovë, mjekë të familjes dhe punës, mjekë të kirurgjisë onkologjike e tjerë. Si ministër i Shëndetësisë dhe si Ministri e Shëndetësisë dhe si Qeveri e Kosovë jemi të interesuar të rrisim kualitetin e shërbimeve duke ndërtuar infrastrukturën, duke ndërtuar menaxhimin tonë, obligimet tona”, theksuar Latifi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri i përgjithshëm i të punësuarve në shëndetësi në sektorin publik, në vitin 2020, ishte 13 mijë e 518 të punësuar, prej tyre: 3 mijë e 555 ishin mjekë specialistë dhe 8 mijë e 386 infermierë, ndërsa 1 mijë e 577 staf jomjekësor.