Së pari ndaluan në Prekaz.
Rreth 150 motoristë shqiptar nga vende të ndryshme të Kosovës mëngjesin e hershëm të së mërkurës bënë homazhe tek varret e familjes Jashari.
Kjo ishte ndalesa e parë e këtyre motoçiklistëve.
Nga këtu ata do të marrin rrugëtim prej 2 mijë e 361 kilometrave, për të mbërritur në Hagë.
E gjithë kjo po bëhet me thirrjen e vetme, drejtësi për ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë.
“Është një marsh simbolik qysh është një thirrje për drejtësi qëllimi është që arrijmë deri në Hagë atje ta bëjmë një parakalim të motoristëve pastaj të vazhdojmë në Bruksel ku kemi përgatitur një kërkesë që drejtësia të jetë transparente”, tha ai.
I pranishëm këtu ishte edhe ish i burgosuri i Hagës, Nasim Haradinaj, i cili tha se ky marsh është thirrje për drejtësi.
“Do të bëjmë vetëm një thirrje për drejtësi dhe ajo tjetra që është që sa më shpejt proceset të kryhen drejt. Ne nuk duam të ndikojmë në drejtësi por duam të themi se kjo drejtësi nuk po monitorohet. Prandaj, kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për qeveritarë dhe gjithë ata njerëz që mendojnë që drejtësia është vlera kryesore. Dhe nëse drejtësia është vlera kryesore liderët tanë të gjithë shokët që janë në Hagë do të na kthehen të pafajshëm dhe ajo është fitore për ne dhe fitore më e madhe për Kosovën”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj tregoi edhe gjithë rrugëtimin që do ta bëjnë drejt Hagës bashkë me motoristët.
“Prej këtu shkojmë në Poklek pastaj Gllogjan-Deçan, nga Gllogjani do të shkojmë në Koshare nga Kosharja në Mejë tek masakra e madhe që është bërë atje, të jetë edhe simbol për evropianët se nganjëherë si duket i kanë harruar masakrat nga aty në Landovic meqenëse aty do të kthehet rruga për Morinë për në Durrës ku do jetë trageti dhe Ankon dhe pastaj në Cyrih ku do të mbledhin motoristë shqiptarë nga Italia, Gjermania, Austria… dhe nga Duseldorf do të shkojmë në Hagë dhe në Bruksel”, tha tutje Haradinaj.
Për tu dal në mbështetje ish-krerë e të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku u tha se morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.