Nga “MEPSO” thonë se në bazë të potencialit prodhues të termocentraleve sigurohet 65-70% e energjisë nga burimet vendore ndërsa 30-35% e energjisë importohet. Drejtori i MEPSO-s Orhan
Murtezani, tha se restrikcione nuk do të ketë vetëm nëse sigurohet energjia nga Greqia, Bullgaria, Shqipëria dhe Serbia.
“Ky trend i njëjtë është në disa vitet e fundit dhe nëse kemi parasysh planin e paraqitur të ELEM për prodhimin e energjisë gjatë dimrit që vjen por edhe tentativat e qeverisë për të siguruar energji elektrike nga shtetet fqinje, nëse gjitha këto hapa përmbyllen me sukses, atëherë besoj që ky dimër do të duhet të kaloj pa devijime ose probleme të theksueshme”, tha Orhan Murtezani, drejtor i SH.A. “MEPSO”.
Por përqindja e importit të rrymës mund të jetë edhe më e lartë nëse marrim parasysh energjinë elektrike që shkon dëm gjatë shkaku i rrjetit të amortizuar. Në trafo stacionet dhe nga largpërçuesit që administron MEPSO humbja e rrymës është 1,8% ose 125 GW/h në vit. Ndërsa nga EVN thonë se janë shqetësuese llogaritjet për humbjen teknike të energjisë gjatë furnizimit në rrjetin e amortizuar të shpërndarjes së EVN-së.
“Në vitin 2021 rreth 14% e prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike që ka kaluar përmes rrjetit të shpërndarjes llogaritet si humbje teknike dhe komerciale. Kjo përqindje e humbur është 913,4 GW/h që në shpenzim arrin vlerën e 20 milion eurove. Pa marrë parasysh se a janë teknike apo komerciale, të gjitha sasitë e humbjeve EVN i prokuron në treg të hapur sipas çmimeve të tregut”, njoftojnë nga EVN Maqedoni.
Nga Komisioni Rregullator i Energjetikës thonë se me ligjet e fizikës është normale të humbet energjia deri në 15% e prodhimit të përgjithshëm, por nga kompania shpërndarëse EVN thonë se KRRE nuk e pranon humbjen e denoncuar prej 14%, por ka legjitimuar në treg vetëm 12% humbjes së rrymës.
Por, a paguajnë qytetarët humbjet në rrjet? Sipas EVN në vetë faturat e energjisë elektrike, në mënyrë transparente dhe të detajuar është pasqyruar se për çfarë paguajnë konsumatorët, dhe ajo është: Kompensim për energjinë elektrike të konsumuar, Kompensim për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike (MEPSO dhe Elektrodistribuimi), TVSH 5% dhe Taksa komunale për ndriçim publik.
Nga ana tjetër, humbje ka edhe nga vjedhjet. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 300 mijë MW/h energji elektrike vidhen çdo vit në vend, shumë e cila është afër 10% e konsumit të përgjithshëm të rrymës për amvisëritë në Maqedoninë e Veriut.
Nga autoritetet thonë se nga kyçjet ilegale në rrjet dëmi kalon mbi 100 milion euro në vit dhe shumica e hajnave atë e përdorin për gërmim të kriptovalutave./kp