Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot në takim ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, të akredituar për Republikën e Kosovës, Jessica Blitt.
Maqedonci bën me dije se Blittin e ka njoftuar për zhvillimet në Ministrinë që ai drejton dhe FSK, e po ashtu e ka falënderuar për mbështetje në fushën e mbrojtjes.
Më tutje, ai thotë se me ambasadoren kanë diskutuar edhe mbi pjesëmarrjen e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax.
“Kisha kënaqësinë që të pres sot në Ministrinë e Mbrojtjes, Ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, të akredituar për Republikën e Kosovës, znj. Jessica Blitt. Znj. Blitt e njoftova për zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës e Sigurisë së Kosovës dhe e falenderova për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes ndërmjet vendeve tona. Gjithashtu diskutuam mbi pjesëmarrjen e delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax. Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugën e saj drejt integrimit në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe Kanadaja është ndër vendet në të cilat Republika e Kosovës mbështetet në përkrahjen e tyre për realizimin e kësaj aspirate të vendit”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.