Tashmë janë bërë më shumë se një vit që kur Bashkimi Evropian vendosi disa masa ndaj Kosovës.
Ani pse kërkesat e ndërkombëtarëve u plotësuan, të njëjtat ende nuk janë hequr.
Për këtë ka folur të enjten edhe ambasadori Italian që ishte i ftuar në “Këndin e Debatit” në tëvë1.
Ai u shpreh se së shpejti brenda institucioneve të BE-së, pritet të diskutohet për heqje të pjesshme ose të tërësishme të masave ndaj Kosovës.
E deputetja nga partia në pushtet, Jeta Statovci vlerëson se që nga fillimi këto masa ishin të padrejta kundrejt Kosovës.
Andaj vlerëson se janë përmbushur të gjitha kërkesat nga faktori ndërkombëtar, andaj kërkon që të njëjtat të hiqen.
“Ne nga fillimi i kemi vlerësuar tërësisht të padrejta besa edhe është tërësisht e paprecedentë edhe vetë për Bashkimin Evropian është një prej formave ku besa edhe kur janë vendosë masa ndaj Rusisë ka qenë një proces i votimit ndërsa në rastin e Kosovës ka qënë një anomali i gjithë procesi si ka shkuar. Besoj se edhe vetë në BE janë duke shqyrtuar edhe metodën se si mund të dalin nga kjo situatë për faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet”, ka thënë deputetja, Jeta Statovci.
E kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, thotë se nuk kanë komunikim me Qeverinë se a janë duke punuar në këtë drejtim.
Deputeti opozitar fajëson pushtetin aktual për vendosjen e këtyre masave, siç thotë ai, të padrejta ndaj vendit.
“Edhe masat janë vendosur si rezultat i skajshëm i keqmenaxhimit dhe komunikimit të faktorit politik Qeverisë me faktorët relevant vendimmarrës evropian. Këtë relacion nuk kemi informacion zyrtar se në çfarë shkalle është duke lobuar, punuar, sqaruar Qeveria me ata që i kanë marrë këto masa”, ka thënë deputeti I PDK-së, Ferat Shala.
Deri te vendosja e masave kishte ardhur pas kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës pas zgjedhjes së kryetarëve të rinj shqiptarë.