Autore: Adea Mustafaj
“Liria pa gjak nuk vjen”
Këtë porosi, e ka nga vëllai.
Ishin këto fjalët që Gani Fetahut, ia tha vëllai Agron Fetahut, plot 36 vjet më parë.
Ani pse në vitin 1990, Ganiu ishte vetëm 14 vjeçar, e kujton mirë natën kur Agroni i mblodhi të shkolla e fshatit Celinë.
Këtu 24 vjeçari iu tha se të nesërmen, do të nisën në drejtim të Rahovecit.
Kështu mëngjesin e 27 janarit, në drejtim të Rahovecit u nisën plot 10 mijë demonstrues.
Patrullës së parë policore serbe, Ganiu tregon se kishin arritur të i shpëtonin.
Por në luginën e Brestovcit po i priste tjetra.
“Rrugës duke ecur kemi shkuar deri te lugina ku janë përmendoret ku ran vëllezërit tonë. Unë kam qenë mbrapa. Agroni u kon te unë edhe më tha unë duhet me shku përpara dhe ka shku atje përpara. Kur ka shku atje përpara nuk ka zgjatë shumë veç e kom pa një herë që kanë gjuajtur gaz lotsjellës. Pas gazit lotsjellës kanë fillu breshër plumbash. Dhe jemi ik në atë përpjetsen”, thotë Gani Fetahu, vëllai i Agron Fetahut
Por vetëm pas disa hapash, Ganiu e kuptoi se po mungonte Agroni.
“Kur kemi shku ma nalt kom pas ndiejna. E kom ndiej që mungon ai. E kom vetë axhën a e ke pa Agronin. Po këqyr e po thotë jo s’po e shoh. Pastaj jam kthy unë teposhtë dhe kur jam kthy teposhtë e kom pa të ramë”, tregon Ganiu për Tëvë1
Nga këtu, Ganiu ani pse vetëm 14 vjeçar, bëri çmos ta shpëtonte vëllain.
“U kon autobusi përmas tu ardh i kom dal përpara autobusit dhe e kom nal. E kom kap e kom qit në autobus e kom çu në Rahovec. Kur e kom çu në Rahovec normalisht u mblodhën njerëzit me pa. Dikush më ka ndihmuar dhe e kemi vendos në një bankë brenda në ambulant. Pastaj erdh një mjek ja shikoj sytë tha (luan me krye)”, rrëfen ai.
Ani pse kanë kaluar 36 vjet nga rënia e Agron Fetahut, Ganiu nuk i ka harruar momentet më të vëllanë.
“Për fat të keq u përjashtua nga shkolla. Pse? E përshëndeti profesorin e gjuhës serbe me grusht siç ishte atëherë koha e Enver Hoxhes. Krejt ishim për Shqipëri, për bashkim kombëtarë”, kujton Ganiu momentet me vëllain e tij.
Me 27 janar 1990 në Brestovc të Rahovecit pos Agron Fetahut u vranë edhe Nesimi Elshani, Halim Hotin dhe Hilmi Krasniqin si dhe u plagosën 19 persona të tjerë.






