Kombëtarja kuqezi luan të enjten një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e saj, por në ‘play-off’ të Botërorit ka përballë një rival që kërkon pjesëmarrjen e 10.
Për Shqipërinë është mundësia e të bërit histori, por përballë në ‘play-off’ të Botërorit ka një përfaqësuese të mësuar me evenimentet më të mëdha botërore. Polonia është favorite e theksuar për shkak të 9 pjesëmarrjeve në kampionatin botëror, teksa në 1974 dhe 1982 ka arritur të shkojë deri në gjysmëfinale, dhe në të dyja rastet është renditur e treta.
Ndaj Shqipërisë polakët do të kërkojnë pjesëmarrjen e 10-të në Botëror, ndërsa dy skuadrat janë përballur në 15 raste mes tyre. 10 janë fitore për polakët, 3 sfida kanë përfunduar barazim, ndërsa në 2 raste ia kanë dalë kuqezinjtë. Ndeshja e fundit e zhvilluar në Tiranë më 10 shtator të 2023 është fituar nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0, duke i hapur rrugë kualifikimit për herë të dytë në Evropian.
Shqipëria renditet në vendin e 63 në FIFA, 29 pozicione poshtë Polonisë që mban vendin e 34. Në portalin e specializuar të futbollit polakët kapin vlerën e 205 milionë eurove, ndërsa kuqezinjtë rreth 95 milionë euro. Pothuajse sa gjysma e polakëve.
Për duelin që luhet më 26 mars në Varshavë, duke nisur nga ora 20:45, kapiteni Robert Lewandowski ka deklaruar se ‘Shqipëria është gjithmonë një kundërshtar i vështirë’, ndërsa ka shtuar se ky duel mund të vulosë edhe të ardhmen e tij në kombëtare.









